05 mars, 2008

S'kam kohë të vdes - Parathënie

PARATHËNIE per vellimin poetik "S'kam kohe te vdes"
nga Rakip Zhguni


Dorë e ngrohtë... mbi supin tim:
-Duro! Gjakun mos e prish!
S’vonon shumë. Te mëma klloçkë
Zogjtë do kthehen gjithë sërish.

Janë këto disa vargje të shkëputura nga vëllimi poetik i poetit Nexhip Bashllari, që flasin apo shprehin më së miri kredon e tij për t’iu rikthyer vendlindjes së dashur, për t’iu rikthyer me zjarrin e dashurisë më të madhe.
Motivet e vendlindjes janë trajtuar edhe në tre librat e tjerë, por këtë radhë poeti Nexhip Bashllari vjen më i kompletuar, më i ndjeshëm, madje dhe më kritik ndaj vetes, ndaj atyre që janë larguar dhe për të cilët (duke përfshirë e veten), poeti thotë:

U gjerbova duke pritur
Pritja qenka helm e vrer
.

Në këtë vëllim ndjehet më së miri edhe rritja e mjeshtërisë së vargut dhe na duket sikur udhëtojmë edhe ne nëpër vendlindjen e tij dhe në të njëjtën kohë edhe në shpirtin e tij, në imazhet e ëmbla, në larminë e vargjeve e të figuracionit, me rimat e ritmin herë të prerë e herë të ëmbël, herë me ashpërsi e herë me një ndjeshmëri të hollë e prekëse. Duken si naive vargjet:

Mos ma trembni vjershën,
Vargun mos ma ngani,
Fjala të shpërthejë
Porsi llavë vullkani.


Por në të vërtetë poeti është i shqetësuar. Brenda tij, brenda mendimit poetik duket sikur shpërthen një duf. Nuk është urrejtje, as mëri, por është një dhembje jo vetëm për mungesën e gjatë në vendlindje, por edhe për lirinë shpirtërore aq shumë të munguar, të anatemuar e të lakuar, sa ai pranon më mirë t’i djegin trupin, se sa fjalën e lirë. Nuk ka të bëjë kjo me lirinë e tij per- sonale, por me lirinë dhe lirshmërinë në të shkruar.
Ndonse në tre librat e tjerë poetikë ia kushton tërësisht vendlindjes, mallit për të, në këtë vëllim të ri poeti është ndalur më shumë në motivin e dashurisë.
Si të thuash, atij i kanë mbetur pengje kujtimet të hershme të moshës së rinisë.
Edhe tani që ësht në vjeshtën e viteve, poeti i këndon me ndjenja të ngrohta dashurisë. Nuk është kjo thjesht dashuri në kuptimin e ngushtë të fjalës, por ajo ndjenjë që e bën njeriun fisnik dhe poetin shpirtndjeshëm, të besueshëm, të këndhëm, të lexueshëm dhe emocionues.

Seç më vjen keq për atë kohë
Që iku shpejt dhe pa kuptuar.
Dhe vjen një ditë veten e shoh
Të dashurisë me zjarr të shuar...


Po a është e shuar dashuria e poetit për vendlindjen? Jo.
Më poshtë poeti thotë:

Para teje porsi hije
Më ngjan kulla Ejfel.


Fjalë këto që nuk duan komente. Poeti është bir i një toke të egër, të varfër, lidur e rritur në një strhëz të thjeshtë, por para madhështisë dhe bukurisë së mrekullive të botës, poeti vë vendlindjen e tij, truallin e tij, jetën e tij të thjeshtë, të varfër ekonomikisht, por shumë të pasur shpirtërisht. Këtë pasuri shpirtërore Nexhipi kërkon ta përcjellë te vetja, te moshatarët e tij e mbi të gjitha te brezi i ri, sepse siç thotë ai, “Më vriten brinjët në dyshek sfungjeri”,sepse për të dyshek më i butë është dheu i vendlindjes, krojet dhe gurrat e vendlindjes, hallet dhe brengat e vendlindjes. Poetit natyrisht i vjen keq që rininë e kaloi me halle, por që i kanë mbetur edhe shumë kujtime të bukura, të cilat bashkë me një pjesë të rinisë i kanë mbetur atje, në Gorë-Opar, dhe siç thotë ai:

Nuk më bindet të vijë pranë meje,
Qëndron në vendlindje si lampadar


Vëreni sa rrënjë të thella ka poeti në vendlindjen e tij. Kështu mund të pohojmë me plot gojën se Nexhipi tashmë paraqitet si një poet i pjekur artistikisht. Kështu në një vështrim vetëm të disa figuracioneve, mund të pohojmë më së miri këndvështrimin e tij poetik e filozofik. Veçanërisht të bie në sy trajtimi i veçantë i temës së ditës, i shqetësimeve të kohës.

Nga koha në kohë kanë dalë demonë,
Nga koha në kohë kanë dalë dështakë


Pohon ai për realitetin e sotëm, për këtë botë me kusarë, por edhe me
njerëz të ndershëm të zhytur në mjerim. Poeti ndjen dhimbje për këtë jetë plot
me ujqër, megjithatë nuk ndjehet urrejtje, por bën thirrje, thirrje prej poeti:

Njerëzit e urtë në krye të dalin,
Që dinë të drejtojnë me mendje të fortë,
Të mençurit, të rreptit që dinë të falin
Që zbutin dhimbjen me fjalën e ngrohtë
.

Shpesh poetin e pushton stresi nga hallet, vuajtjet, nga mungesa e perspektivës, ku, siç pohon ai:
Punët shkuan rrapëllimë
Se po hamë njeri-tjetrin
.

Një vend të veçantë në këtë vëllim zë dhe motivi i kurbetit. Të afërmit, miqtë, njerëzit e tij të dashur, shokët i ka larg, në dhera të huaj, ndaj malli për ta kthehet në një dhimbje, sa zemra e poetit është ndarë më dysh..
Në vëllim është vendosur dhe një poemë, e cila i ngjan një mozaiku të bukur, të shpalosur me mall e nostalgji, me ndjenjë e frymëzim, duke bërë kështu vëllimin me të vërtet të këndshëm.
Si përfundim poeti Nexhip Bashllari me të drejrë mund të quhet si poeti që i këndon me ndjenjë vendlindjes. Duke kënduar për të ai i ngre himn dashu- risë për atdheun pavarësisht nga tranzicioni i gjatë që e ka përfshirë.
Lamë pa përmendur motivin e dashurisë. Poeti i këndon asaj me gjuhën e poezisë popullore, me motive të marra nga folklori dhe me një idilizëm të ngrohtë, pa u shkëputur nga tradicionalizmi. Kështu të dashurën ai e quan lule, mike, dreqka, e mira, hëna kanakare, buzëpjekur (domethënë në moshën më të vrullshme të dashurisë) etj. Të gjitha këto duket sikur i kundërvihen asaj dashurie me kërthizë jashtë e gjoksjashtë. Nuk mungojnë dhe tjetërsimet, metamorfozat për të dashurën e poetit. Ai e quan pemë vjeshte etj.Mjeshtëria e ndërtimit të vargut të bie në sy shumë lehtë. Vëreni sa bukur tingëllojnë këto dy vargje:

E mora puthjen në duar,
E rrodhi, e rrodhi si vaj.

Nuk ka komente: