06 mars, 2008

S'kam kohë të vdes - Kreu IV

Kreu IV.

RE TË NDEZURA





Trioletë

Sa e bukur ish rinia,
Ajo moshë plot gjallëri!
Tek ajo sikur të vija!
Sa e bukur ish rinia!

Dashuria, dashuria
Më ka djegur thellë në gji.
Sa e bukur ish rinia,
Ajo moshë plot gjallëri!




Më vjen keq

Seç më vjen keq për atë kohë
Që iku shpejt dhe pa kuptuar.
Dhe vjen një ditë veten e shoh
Të dashurisë me zjarr të shuar…

Dhe atë zjarr e mbajta fshehur
Po prapë shpërtheu si uragani,
Si tokë e zjarrtë mbi krater mbledhur,
U derdh përposh si llavë vullkani.

Eh, ajo kohë tani është tretur,
Ka mbetur vetëm në kujtime.
Porse ato mbetën pa u prekur
Dhe ruhen thellë në zemrën time.

Po nëse rreket ndonjë e rrekur
Të më miklojë si kohë më parë,
Zemrën time s’ka për ta prekur,
Në gjirin tim s’e ndez dot zjarrë…





Një funddimri


Një diell funddimri…
Dhe çelin manushaqet.
Merr krahë poezia.
Vashat, të purpurta faqet.
Dehem nga të tria…



Pa titull

Të kërkova gjithandej,
Lodha gjunjët anekënd
Seç më vlonte nëpër dej,
Imi shpirt në shpirtin tënd.




Të pashë tek ecje

Të pashë tek ecje
Diku e mbështetur.
Vallë ç’të ka ngjarë,
Vallë ç’të ka gjetur?

Me sy të venitur,
Asnjë shenjë gëzimi,
Me trup të drobitur,
Plagë hidhërimi…

Ta kujtoj rininë,
Kaprolle ke qenë.
Shumë qenke plakur,
Shumë paske rënë!…

Ku janë ato naze,
Ato flokë të arta,
Që bëje gërsheta
Dhe i hidhje prapa?

Buzëqeshja jote,
Sytë prej shqiponje,
Kush ndeshej me to,
Përdhe e rrëzoje…

Shumë kanë rënë,
Shumë janë vrarë.
O, sa shumë pas teje
Hequr janë dhe zvarrë!...



Guguçe, moj...

U treta, pas teje jam tharë,
Guguçe, moj faqehënë!
Më thuaj, nga ke ngjarë
Pas teje mendjen kam lënë!

Folmë, moj, folmë me gojë,
Të dëgjoj çfarë zëri ke!
Prej teje nuk heq dorë,
Edhe memece nëse je...

Folmë, moj, folmë një fjalë,
shuaj gjakun e nxehtë!
Kur të vdes, të kem nxjerrë mallë,
Ndryshe dheu s'do t’më tresë...



Të tillë puthje…

Te një mollë nën kurorë
Djalë e vajzë-gojë më gojë.

Puthje gjethesh-fëshfërimë,
Zogjtë degëve cicërijnë.

Puth e puth i zuri darka,
Skuqen krejt mollët nga flaka.

Poshtë lumi me jehonë:
-Mos u tutni,-thotë -seç thonë!

Kjo e puthur u ka mbetur
Atje…nën kurorë e tretur.

S’mund të jetë kjo mollë, ndofta,
Ndofta kërrusur, krejt pa kokrra.

Veçse trungu, plis e gurë
Të tillë puthje s’kanë parë kurrë.




Këngë që s’vijnë

Një erë e lehtë më zbuloi thëngjijtë,
Mbuluar nga hiri…Dhe pastaj,…
Më solli ndërmend gishtërinjtë
Ngatërruar mbi flokët e saj…

Më ndërmendi atë natë të bukur,
Mbi krye kishim gjithësinë.
Rrugës gjithë duke u puthur,
Në buzët tona-këngë që s’vijnë!





Ju betohem!...

Betohem për atë Zot,
S’keni parë të tillë perri,
As dhe mbreti më i fortë,
S’ka prekur si kjo hyjni.

As një mbret, as një sulltan,
As dhe Shahu i Persisë,
Nuk kanë patur diamant,
Si ajo që pashë një ditë.

Betohem për timen kokë
(s’e kam kokën për birila)
S’ka lëmuar të tillë flokë,
S’ka puthur syçka të tilla!

Asnjë në botën e tërë,
(Unë, dihet, jo, që jo)
S’ka lëmuar gji e llërë,
Puthur buzka si ato.

Mendoja, ç’qe ajo farë…
Që bëri të tillë ngjizë?
Ç’të ketë qenë ajo arë,
Që rriti të tillë filiz?

Ndaj e ndiqja i magjepsur,
Mbetur dhe i marramendtë,
Mbi dy kuaj bardhë ecur,
Nëpër rrugën e kalldrëmtë.

Betohem për atë bukë,
Do ta ketë të madhin fat,
Kush ta ndukë në buzë e gushë,
Kush ta mbajë në krahë çdo natë.





Ç’të dal…!

E kam provuar të dal në shesh
Dhe të vëzhgoj plot kalimtarë,
Por, porsa del, syri të ndesh
Kërthiza jashtë dhe gjokset dalë.

Kjo më bën të ndihem keq,
Se nepsi qënka i çuditshëm,
Qenka i njëjtë për djem dhe pleq,
Veçse për pleq i pa arritshëm.

Nga kjo më vjen për të qarë,
Qaj për moshën e fluturuar,
Përveç zemrës, çdo gjë e tharë,
Të thara me buzë dhe duar.

Prandaj, or miq, po qëndroj larg,
Mos tundohem nga lanetka…
Kur s’je i zoti t’i shtish në çark,
Kot sheh me sy, të plas zemra!…



Kur të pashë…

M’u shfaqe pemë pas vjeshte,
Mbeta krejt i shullapur!
S’kishe mbajtur asnjë gjethe,
Një gjethe ta kishe mbajtur!

Nëna siç të kishte bërë,
M’u shfaqe mua papritur,
Si një mollë për të ngrënë,
Luleshtrydhe e vesitur.

Poshtë degëve të tua
Dy pëllumba krejt të bardhë,
Njëherë më ngjaje si ftua,
Herën tjetër si një dardhë.

Ashtu si të ka bërë nëna,
Të vështrova dhe s’u ngopa,
Bëj çudi, si nuk të hëngra
Nga këmbët deri te koka!

Cipëhollë si qershia,
Thelpinj arre krejt përbrenda,
Gjysmë hëne poshtë… sinia
Tek u deha, ndaj s’u çmënda.

Siç të ka bërë ajo nënë,
Desha të merrja ndër duar,
Por, për mua, s’qe e thënë ,
Të të haja të qëruar.



Buzëpjekura

Në mendime pse je kredhur?
Përse buzët të janë tharë?
Për kë, moj, të janë djegur?
Kush u vuri buzëve zjarrë?...

Pa më eja këtu pranë,
Ato buzë për t’i zbutur.
Kam ilaçin asaman,
T’i shërokam duke puthur.

M’u afro, moj buzëpjekur,
Ethe buzësh të të mpak.
Jam dhe unë po aq i thekur,
T’i ftoh buzët pak nga pak!




Meraku i parë

Po ku je, moj mikja ime,
T’i meraku im i parë?
Si të lashë të më ikje,
Pa të thënë ndonjë fjalë?

Kujtoj mirë atë ditë,
Lotët syve nuk t’u ndanë.
Shpirti yt krejt u sfilit,
Ike me kokën mënjanë…

Ike, moj, e mira ime,
Ku të çoi ty babai.
Kurrë s’ta thashë fjalën magjikë
As në prill e as në maj…

Ike, ike e s’të pashë,
E u ndamë ne përfare!
Dhimbshëm e kujtoj at’ çast,
Shuaj varg cigare…




Ah, moj, Hënë kanakare!

Ah, moj, hënë kanakare,
Që më shafaqesh mbi livadh,
Bëhu pak zemërbujare
Rrimë të dy, një natë bashkë!

Pse më fshihesh hera-herës?
Hera-herë ma shkel një sy.
Mos ia vër ti llozin zemrës,
Lerma hapur që të hyj!

Pse më fshihesh prapa reve?
Prapa reve mos u fut!
Zbrit tek unë si qumësht dele,
Bëma zemrën time, bukë!

Ec të gjejmë një lëndinë,
Shtrirë mbi tërfil të thatë,
Të lëmoj gushën dhe gjinjtë,
Bashkë të dehemi një natë!

Ah, moj, hënë zemërgur,
Dil, m’u hidh një çast në qafë!
Po të bie dhe ndër gjunjë
S’duroj dot, e më…sa s’plas!



Për një puthje


Vrapoja dikur për një puthje,
Por puthja nuk kish të afruar.
Fati flinte, s’bënte tutje…
Puthjen për ta shtënë në duar.

Renda e renda si i çartur,
Kalë ergjele në revan.
Dreqka mendje s’më kish vajtur,
Ta kisha, aq shumë,… pranë.

E mora puthjen ndër duar
E rrodhi, e rrodhi si vaj,
Në petë byreku të shtruar
Dhe peta u shkri prej saj.

E rrodhi kjo puthje si krua,
E rrjedh në ditët e vona.
Bora mbi malet e shtruar
Shkrihet prej puthjeve tona.




Te qershia

Kërcitja e këpucëve mbi kalldrëm
Më zgjoi ndjesinë e një malli,
Të kredhura midis shtatë notash
Përbrenda një pentagrami…

Dhe hapave të mia mbi gurë
Me iso ua mbaj bukur
Dhe kënga e zogjve mbi drurë
S’m’i lë kujtimet strukur.

Dhe, ja, si dikur qershia
Krahëhapur porsi shpend,
Më pyet:-“I sheh kokrrat e mia?
Të sjellin ndonjë gjë ndërmend ?”

Eh, ç’më zgjoi ato kohëra!
Si dy zogj loznim, gëzonim,
Zgjatnim dorën për ca kokrra…
Njëri-tjetrin e mëkonim.




Meraku

Me merak e pata
Dikur…një leshverdhë,
Ta merrja në krahë,
Ta vija në prehër.

Në mes të një pylli
Shpejt ta degdisja,
T’i zbuloja gjinjtë
Dhe ta gudulisja.

Për një biondinë
Bëj haram shtëpinë.
Më atë jetoj
Edhe nën dëllinjë.

Por, ç’e do më doli
Para një lanete,
Diç..më pëshpëriti,
Më bëri për vete.

Ajo shpejt më bindi,
Leshverdhën harrova,
M’u qep porsi xhindi,
Pas saj u tërbova.

Ah, ti, moj, lanete,
Pse s’më le pak kohë
Që atë leshverdhë,
Ta shtija në dorë?

T’i prekja, lëmoja
Me gishtat e dorës,
Dy kokrrat magjike
Topat e dëborës.

T’i lëmoja shegët,
Dy buzë t’i thithja,
Ky do qe ilaçi,
Kurrë të mos vdisja.




Vetëm kaq...

Shamë, moj, si të duash!…
Po deshe, më fut një shpullë!
Veçse dua një të puthur,
Të zbut kallot përmbi buzë.

Një të puthur, asgjë tjetër…
Të betohem: “Për Perëndi”!
Që të marr në botën tjetër…
Pak nga mjalti që ke ti.

Erë mjalti trendelinë
Të kullotur në livadh,
Të riprek për pak rininë,
Vetëm kaq,… O Zot, sa pak!…



Lermë pak!...

Tek po bëje ecejake,
Të vështroja marramendur
Poshtë nën bluzë, poshtë jake
Tollumbacet thithkaçmendur.

Lermë, moj, fare pak
Buzëtharat t’i mbështes,
Të pi pak nga ky ilaç…
Dhe në vdeksha, le të vdes!

Ja që nuk i bëj dot zap
Sytë e mi të kuturisur,
Ndaj të lutem, lermë pak,
Të zbut shpirtin e harlisur.




Rizgjim i dëshirës

Më në fund u shtrydh dhe rrushi,
Edhe mushti u bë uthull,
Iku krejt vapa me gushtin,
S’ma jep kush… një të puthur.

Një të puthur si më pare…
Që të ndiej pak dridhërimë,
Dhe të njom butin e tharë,
Si rëra në shkretëtirë.

Një të puthur, ah, të puthur…!
Sqep pëllumbash mbi çardhak,
Të rizgjoj kujtimin strukur
Dhe pranverën, sadopak!



Moj e mira

Moj, e mira, kur jam esëll,
Para teje mbetem … idiot
Ç’dua të them, e lë për nesër,
Bëj ta them …dhe s’ta them dot.


Po kur pi një gotë raki,
Gjuha-shpuzë, fjalët-tespi.
Kur kujtoj ta pi të shkretën…
Më s’të gjej, ke marrë një tjetër…




Mendova se të humba…

Renda e renda për të të kapur,
Për të ta thënë fjalën magjike.
Si mollë starkingë e përflakur
Më vidheshe e s’di ku më ikje.

Renda e renda aq sa munda
E s’lashë pa zënë asnjë shteg,
I lodhur, thashë se të humba,
Papritur m’u shfaqe mbi breg.

Dorën zgjate ti drejt meje,
Renda e renda si një sfinks,
Më dukej vetja sipër reve
E diellit duke i bërë eklips.



Buzë gjolit duke pritur…

Më dogji malli për një nimfë,
Dikur… e shfaqur buzëgjoli.
Eh, ç’diell që kishte ajo ditë
Sa shpresa, ëndrra seç më zgjoi.
Gurgullima ujë kroi!

Por, ah, që turpi i mallkuar,
Në buzë ma ngriu fjalën magjike,
E nimfa më priti, e pikëlluar
E lodhur, m’u zhduk ndër vite.
Më mplaku, më zgajti kjo ikje.

Në lingth, me hapa kaprolli,
Me krahë zgalemi e klithma,
Përherë kam mbërritur te gjoli,
Të dilte prej tij ajo…nimfa
Në bebe të syrit ta mbillja.

Sot, me ankthin e dikurshëm,
Te gjoli e tret shikimin.
Ç’më duhet që s’jam i turpshëm,
Kur sytë s’ma kanë shkëlqimin,
E bryma ma thau blerimin!

Sërish në ëndërr më doli,
Ndaj jam këtu, duke pritur,
Paçka se nimfa e gjolit,
Sot mund të shfaqet e thinjur.
Eh, këmbët s’më bëjnë për të ikur!




Tepër vonë…

Sipas poetit Skënder Rusi

Të desha unë, ti s’më deshe,
Më do tani, s’të dua unë,
Kot më josh me buzëqeshje,
Ledhkat e tua s’më hyjnë në punë.

Kur isha strall, ti ishe eshkë,
Me një fërkim shpërthente zjarr.
Është tepër vonë, i thonë vjeshtë
E lagavitur, pritet acar.

I prushti im tani është shuar,
Pret veç një firmë për tjetër botë,
Ja, vetëm kaq, tjetër s’ka mbetur,
Ndaj mos m’u ngjit, e ke të kotë!



Poemë

Te vështroj përposh Grohotit

1
Rrëzë pyllit me ahishtë,
Mbi një gur, te ky Grohot,
Vështroj fshatin tim Zvarisht
Dhe të ngopur s’ndjekam dot.

Jo, nuk ndjej aspak të ngopur,
Tek i shoh gjithë bukurinë,
Ndaj dhe sytë më janë përlotur,
S’e përmbaj dot mallëngjimin.

S’u përmbajtka mallëngjimi,
Lotët s’u përmbajtkan dot,
Tek kërkoj: “O shokë ku jini,
Ku t’ju gjej, i mjeri, sot”?

Ku t’ju gjej e të ftoh pak
Mallin tim të përvëluar,
Bosh shtëpitë, çdo sokak,
Shtëpitë murerrënuar.

Ku t’ju gjej e të çmalloj
Mallin tim prush e shpuzë,
Ndaj i etur shkoj te kroi,
Që të njom të tharat buzë.

Të dy duart bërë grusht,
Seç i mbush me të argjendtë,
E thith ujin – ujin musht,
Që s’e gjen në asnjë vend.

Nëpër rrugët poshtë e la,
Lart’ e posht’- kryq e tërthor,
Bukuri të tillë s’ka,
S’e gjen në asnjë dekor.

2

Mbi një gur, te ky Grohot
Përmbi Gurrëz hedh vështrimin,
Dhe më rrjedhin pika lot,
Pika lot për përmallimin.

Ndaj dhe nisem për atje…
Bëj vizitën më të parë,
Ku po prehen nën dhe,
Ato nëna, baballarë.

Ato nëna me ninulla,
Që në djep na nanurisën,
Ato duar na mëkuan
E në buzë na shtrydhën sisën.

Kanë hyrë në një portë,
Në një portë që s’ka të hapur,
Aty ku s’dëgjohen zogjtë,
S’shihet dielli i përflakur.

Një tufë lule ngjyra-ngjyra
Para tyre i përulur…
Sjell ndërmend ato fytyra
Në kujtime i përhumbur.

Ati im, ja ku më ke,
Kësaj radhe solla nënën,
Por prej saj një dorë dhe,
Që sërish të ndjehesh dhëndërr.

Të më falni këtë zemër,
Që s’duron, mbushur dënesë,
Që s’u zë emër për emër.
Një për një u kërkoj ndjesë.

Po largohem kësaj here,
Jo për fare, kurrsesi,
Do të vij buzëpranvere,
Me shokët e miqtë e mi.

3

Mbi një gur, te ky Grohot,
Me vështrim te shesh i Patit,
Seç më rrjedhin pika lot,
Tek kujtoj rininë e fshatit.

Edhe ngrihem për të zbritur,
Duke zbritur krejt në heshtje,
Dhe mendoj kohën e ikur…
Atë kohë… me topa lecke.

Prapa topit vetëm rendnim ,
Noçka, gishta të gjakosur,
Edhe lodhje fare s’ndjenim ,
As dhe skamjen, sot varrosur.

Tek kujtoj aty rininë,
S’më harrohet ai djalë,
Si harrokam unë Alinë,
Mundësin tonë gjithnjë të parë!?

Po Xhelali me Dylberë
Dhe Tajari me Beqirë!..
Të tillë kishte në çdo derë,
Gurë strall, sygjeraqinë.

Dhe pas tyre radhë-radhë
I lë vëndin dita ditës,
Dolën dhjetra zvarishtarë,
Që i dhanë hov traditës.



4

Mbi një gur tek ky Grohot,
Kaloj çaste përmallimi,
Dhe më rrjedhin pika lot,
Tek dëgjoj ca këngë bilbili.

Dhe të tillë bilbinjarë…
Eh, sa shumë ka fshati ynë!
Këngë dhe iso valë-valë
I kujtoj dhe s’e mbyll synë.

Vëre fyellin në buzë,
Bjeri, Samit, me të qarë!
Të ngroh shpirtin si dikur…
T’heq mërzinë, të shuaj mallë.

Merrja këngës, Beqir, merrja,
Mbaja Tori si përherë!
Të më vijë në vend mendja,
Të thith pak atë pranverë.

Dhe vallen dyshe gorare:
“Atje lart te çezmë e bardhë”
Të largojmë streset dhe hallet
Prapa isoja: valë-valë

Eh, çmë vijnë ca kujtime
Një nga një porsi ujëvarë!
Tani mbushur krejt me thinja,
Për çdo vit një rrudhë në ballë.

Kur do mblidhemi një ditë,
Si në kohën…në rini?!
Jashtë bora le të bjerë,
Brenda këngë dhe raki.

Dhe në verë nga rudinat
Të pjekim një gjingj në hell,
Të kujtojmë çupërlinat
Me aromën sherebel.

Biletën… S’kam për ta prerë,
Shtriga vdekje s’do më marrë,
Pa u mbledhur dhe një herë
Bashkë me ju, o bilbinjarë.

5
Dua të zbres nga ky Grohot,
Të bredh fshatin ma ka ënda,
Të takoj unë miq dhe shokë,
Ku të thonë: “Urdhëro brenda”!

Bëj ta ndal dhe s’e ndal dot,
S’e ndal dot dreqin të qarë,
Dhe marr rrugën për teposhtë,
Zbres, trokas te dera e parë.

Kur dëgjoj një zë nga brenda,
Eh, ç’m’u ngjallën ca kujtime!...
M’u drodh zemra, desh u shemba,
Ah, moj jetë, rinia ime!

Buzagas unë si përhera,
Tek më ftojnë të hyj brenda,
S’ka ç’më duhen, ca të tjera…
Kur më ngopet dëngas zemra.

Dhe biseda merr të shtruar,
I kujtojmë një nga një…
Jeta qenka më e çmuar,
Jeta qenka hiç, asgjë.

Kur dola te shesh i çesmës,
Takoj njerëz radhë-radhë,
U lexon librin e zemrës
Në takimin më të parë.

Sa takon!…Me aq dëshirë
Do të ftojnë në shtëpi.
Eh, sa njerëz zemërmirë,
Bujarë e zemërflori!

Urdhëro, njëri edhe tjetri!…
Po ku të shkosh më parë?!
Kohë, moj, të marrtë dreqi!
S’të premton të shuash mallë.

Eh, kjo kohë, me këto ritme,
S’të premton diku të shkosh,
Pa kuptuar ikin vitet,
Fluturimthi si një zog.

Si nuk mora shumë libra
Për të gjithë këta shokë?!
Pse u nguta, kur u nisa
Dhe s’e mbusha çantën plot?!

Ah, moj ngutje, si s’të flaka
Brenda në lumin Shkumbin!
Mos më ka mbërthyer plakja,
Kjo gungaçe pa shërim?!

6

Tek qëndroj përmbi Grohot,
Një dreq lëmshi po më mbyt,
Dhe më mbushen sytë me lot,
Lot mbi lot më rrjedhin sytë.

Tek kujtoj fshatin tim,
Aty, disa vjet më parë,
Tani mbetur në harrim
Edhe mbushem me të qarë.

Ç’qe për ty ky fat i hidhur?
Një nga një ikën me radhë,
Dhe ke mbetur gojëlidhur
Më çapitesh çalë-çalë.

Ku i ke ato që lamë,
Ato sheshe, ato rrugë?…
Pse s’më je si zonjë e parë,
Dritë hëne, si pasqyrë?

Fshati im, ti ke rritur,
Porsi unë dhe të tjerë,…
Me të mira na ke pritur,
Duarplot na ke përcjellë.

Po si ikëm dhe të lamë?...
Pse u bëmë kaq të lënë?…
Këto duar si s’u thanë?
Vijmë vetëm, për të ngrënë!

S’di pse jemi veç për llonxhë,
Pse u bëmë kaq harambashë?
Lopës po nuk i dhe jonxhë,
A të jep qumësht të hash?

Fshati nga kush do të presë,
Kur na ka ne Perëndi?
Pse s’dërgojmë një fije fshesë,
Ndonjë tjegull për çati?

Po ku jeni, o Shpirtkumtër,
Që po shkelni nëpër shqeme?
Si të ndjeheni të lumtur
Larg nga toka prej vapeme?

Ku jeni, o moshatarë
Dhe pas nesh, o ju të tjerë?…
Mendja, pak, duhet vrarë,
Këtij fshati t’i bëjmë nderë!

7
Rri mendueshëm mbi Grohot,
Më qan zemra dhe ky shpirt
Çurk më rrejedhin ata lot
Lotvesuar mbi Zvarisht.

Tek vështroj rreth e rrotull,
Ato vende ku kam shkelur,
Edhe s’ndjekam kurrë të ngopur,
Edhe s’ndjekam kurrë të velur.

Nuk t’u ngopka kurrë syri ,
Kur vështron një gjë të bukur,
Sa i ndritshëm duket ylli!
Sa e bukur dhe një flutur!

S’kthehet koha me të lutur,
Kur mbetem i marramendur,
Për syzezën belkëputur,
Për vajzën me gjoks të çmendur.

S’jam më djali flokgështenjë,
Bryma sipër më ka rënë.
Iku dita, më s’e gjejmë,
Vendin muzgut ia ka lënë.

Jeta mori në të shkarë,
S’jam më djali sygështenjë,
Ndaj i mbushur mall me majë,
Thur e thur këtë poemë.

Këtu prapë do të vij,
Se këtu…çdo gjë më prêt,
Por në s’mundsha, përsëri…
Dheu kurrë s’do më tretë!



Elbasan 20-22 tetor 2005

Nuk ka komente: