01 mars, 2008

LIRIKA

Ah, më ka mbërthyer vjeshta....

Në një tryezë...Karriket bosh,
Vetëm në njërën...Unë i vetmuar.
Të tjerat plot me bukuroshe
Dhe bukuroshë të dashuruar.

Hedh vështrimin rreth e rrotull,
Por asnjë sytë nuk m’i hedh
Ashtu i heshtur e kthej gotën
Dhe thith kafenë me pak sheqer...

Kthehem prapa në kujtime,
Para meje – një imazh....
Krejt si ata – rinia ime
Zemërqeshur, buzagaz...

Po çfarë të bëj? Kujt t’i ankohem
Që sot më ka mberthyer vjeshta?...
Ja, pse vjedhur unë largohem,
Kridhem dhimbshëm nëpër vjersha...



Letër një miku

Të shoh që ke një shqetësim
Për çka ndodh rreth e rrotull.
Ëndërron ti për ndryshim
Të një bote kaq të ndotur...

Aq e ndotur është kjo botë,
(sidomos kjo bota jonë),
Sa të quajnë Don Kishot,
Kur ti je veç miku im!...




E di

E di... Gjithnjë më je ankuar
Për botën që s’ndryshon kollaj,
Po edhe ti, s’je i kulluar,
Sepse dhe ti je pjellë e saj!

E di... Vetëm s’je në gjendje
Të këqijat t’ia qërosh...
Unë një bindje kam në mendje,
Më parë veten të ndryshosh...



Vetëm pak të ngrohtë

Mik!... Ç’të gjeti?...Pa më thuaj
Pse më bëhesh kaq i ftohtë?
Tjetër gjë prej teje s’dua,
Vetëm pakëz frymë të ngrohtë.

S’jam fëmijë të më mbash hopa,
As nuk jam pa këmbë,
Veç po rashë më ngri nga gropa,
Mos më rri kaq rëndë!...

Nuk kërkoj nga ti lëmoshë
Dhe as dreka- darka.
Që i qetë dhe ti të rrosh,
Ngrohtësi u dashka...

Ç’thonë te urtët, miku im?
Ne s’na hahet mishi...
Ai që prishet në pajtim,
Veç të keqen grishi...





Ikja e dimrit

Dimri plak, i pleqëruar,
Ngjitet malit përkarshi.
Merr frymë fusha e zbardhuar
Me një pamje bardhë e zi.
Mali ngjan si pullali.

Matanë dielli ka kaptuar,
Si i ndrojtur, i tërhequr.
Kush merr frymë me të ofshuar?
Ç’i ka ndodhur? Ç’e ka gjetur?
Prapa dimrit mos ka mbetur?...

S’është e bortë kjo bardhësi,
Vellon pemët paskan hedhur...
Nëpër fushën pa kufi
Bar e lule paskan çelur...
Dalin vashat për t’i mbledhur.

Zhurmon jeta ndër gjallesa.
Thyhet heshtja...Qielli gri...
Shkundet fshati nga përtesa.
I deh zemrat mall i ri,
Kjo, e ëmbla dashuri...




Burrëria

Trimëri-
Të mbash fjalën!
Të marrësh në sy rrezikun,-
Trimëri!

Të mposhtësh vetveten
Të falësh,-
Më e madhja burrëri!...




Pa menduar

Ka njerëz që flasin pa menduar,
Pa gjë të keqe “bombën” lëshojnë.
Eh, shpirtrat mbetën të dërrmuar,
Gjakrat dhe ndjenjat trazojnë...

Ka pasur, ka dhe do të ketë
Të tillë me gisht të tërhequr,
Po ç’vlerë ka pendimi në jetë,
Kur tjetri i padit dhe i vdekur?



Sofra e mikut

Te kushdo të shkosh, e njeh a s’e njeh,
Mbase për mall a rastësisht i ngrysur,
Ti shihe në sy, gjersa në sy të sheh,
Ti s’ke pse sofrën t’ia kthesh përmbysur.

Dhe në shtëpinë tënde, dikë nëse pret,
Ti shtroja sofrën me fjalën e dlirtë.
Po s’pate raki, ka bukë e shëndet,
Ke zemrëen te fjalët që i flet me shpirt.



Duke përgjuar një të vdekur

Për të përgjuar të ndjerin njeri,
Pranë tij u mblodhëm atë natë,
Farefis, shokë e miqësi,
Që nata të mos dukej e gjatë...

Pa u bërë aq mirë sqarimi
Si u sëmur i shkreti e ç’pati,
Përgjuesve iu sos durimi,
Për politikën krisi debati!...

Dërrmuan “ të djathtën”, “ të majtën”,
Me fjalë tërë nata u torr.
Si banorë të Kuvajtit, kuvajtën,
Vetëm për të ndjerin s’u fol!...



Kthimi nga kurbeti

Iku jush e vjen tek ju
Si një puthje dallgë - bregu,
Bredhur motesh kuturu,
Në kërkimin e një shtegu.

Humbur rrugën kish ne kohë,
Diku ngecur...nje limani,
Ndaj nxiton me zemrën plot
Te shprehë shpirtin prej gorari

Me një varkëzë të thjeshtë,
Valësh detit, i përkundur.
Flladi ëndrrat ia mban vesh
Nëpër rrugën e lëkundur...

Ja, së largu, dallëndyshet
Do të shfaqen radhë-radhë.
Do të mbrrijne tek ju sërish
Sa t’u rriten pakëz krahët...




Jeta qenka e çuditshme

Jeta qenka e çuditshme,
E përpjetë-e- tatëpjetë.
Dikush shurrën përpjetë hidhte,
Tani shurra i djeg vetë...

Kur e pashë atje tek qoshja,
Ishte bërë si glasë e pulës.
Më erdh’ keq që ta shurroja,
Se m’u dhimbs dhe pikë e shurrës.




Dikur...
( tankë­)

Dikur
Kam pasur inat
Me rrebeshin, rrëmbimin e përrenjve.
Sot do të më hynin në punë
Për të fshirë skotën e maskarenjve!




Me prit se po vij

Përbri lumit, ja xhadeja
Që në këmbë e përshkoja.
Aspak lodhjen nuk e ndjeja,
Veç mendoja... Çfarë s’mendoja....

Lumi im!....Me ty përbri
Sikur ishim vënë në garë.
Ecja unë e rridhje ti
Kush të dilte më i parë...

Lumi s’prante...Vetëm ecte,
Vetëpërplasej e rënkonte.
Se ku lodhej, se ku ngecte,
Mua koha s’më mjaftonte...

Me zogjtë isha miqësuar,
Ujqit rrugën nuk ma prenë.
Sa më shihnin të afruar,
Linin shpejt e shpejt xhadenë.

Me të gjithë qeshë në paqe
Dhe veç paqe me ta kërkoja.
Shpirti im s’më kish gjembaçë,
Se, të mbinin, s’i lejoja...

Eh, më njihnin gjithë burimet,
Lugjet, kopshtet me lajthi.
Shoqëruar me kujtimet,
Thurja ëndrra pa kufi...

Pas një kthese, sa ndaloja,
Hidhja sytë përkarshi.
Dhe një dritë të dalloja
Thosha : “Prit; se po të vij!”



Për gjumin e humbur

( monolog emigranti)

Netë të tëra s’më zu gjumi,
Vrava mendjen si argat.
Paret krejt m’i mori lumi,
Që dikush të bëjë gallatë...

Grindur keq me veten time,
M’u ndërmend një fjalë e thënë:
“Të flet djalli me lajkime,
Të të marrë me lajka gjënë...”




Deti
( tankë)

Sa i qetë duket deti,
Si djepe varkat i përkund...
Ama,
Në i hiptë i nxehti,
I përmbys ato në fund!...



Je me ne apo me djallin...

Sot, o Zot, ka ndodhur gjëma,
Lart në qiell dridhet hëna...

Bukuri e rrallë Binjaket,
Bukuria ç’u përflaket!...

Krim-terror-e-tmerr, o Zot!
U derdh gjak e u derdh lot!

Nga na del kjo çmenduri
Që binjaket i bën fli?...

Ç’është kjo mendje vdekatare
Që la hapur mijëra varre?...

Pse ky mllef, ky shpirt i nxirë,
Ndaj një botë njerëz-lirë?...

Tek ky tmerr një firmë gjen:
Bin-shejtan-e-Bin-Laden...

Pse të kemi, o Zot, pse?
Pse s’kujdesesh ti për ne?

E di mirë ku kemi hallin:
Je me ne apo me djallin?!...



Fjala

Edhe fjala do melhem,
Të qeton e të shëron.
Tek të urtët veç e gjen,
Të jep shpresë e të forcon.

Me kujdes kur fjala flitet,
Se si plumb ajo të vret.
Pastaj shpirti kur goditet,
Nuk ka shpirt ta sjellë në jetë!




Mos më mallkoni

Nëse borxh jua kam bërë,
Kur ndaj jush kam gabuar,
Mos u bëni zemërgjerë,
Të më lini pa ndëshkuar...

Veç një gjë e kam me frikë,
(Për këtë ju lutem shumë).
Mos u bëni më të liq,
Të më nëmni: -Mbeç pa punë!...



Mos...

(Porosi nga gjyshi)

Mos u ligështo, Nexhip, nga dështimi,
Kallinjtë nuk bëhen menjëherë të arrirë.
Provoje prapë me guxim besimi
Të mësosh më mirë...

Në fund të fundit, s’është fundi i botës,
Të ndjehesh fillak e i mjerë.
Pa pyete njëherë mendjen e kokës!
Përgjigja e saj ka më tepër vlerë!





Fati
(tankë)

Si gjithë të tjerët provova,
Por fati kurrë s’m’u afrua...

Atëherë djersën kullova.
Fati më tha:
-Ja tek me ke mua!




Pendimi

E hoqa xhupin, kokoren, xhaketën,
Se ku i lashë...S’më duheshin më.
Nuk duroheshin...Më futnin të nxehtën.
I përbuza të gjitha...dhe mbeta pa gjë.

E shova zjarrin që më digjte faqet,
Iu fsheha diellit...S’e shihja dot.
Pëlqeva freskinë e ëmbël në parqe,
Pa menduar për ditën tënde, o Zot...

Për ditën e murrme, per ditën gri
Që më fut dridhma i ftohti acar...
....Dhe, ja, ku ndjehem më keq tani,
Të kërkoj falje, o diell gorar...




Mallkim!

Nuk e ngopi syrin me gjumë,
Gjithë jetën punë e durim.
As nuk u qa, as ra në gjunjë,
I tillë ka qenë ky, brezi im!

Për ata që në rrugë e hodhen,
Për ta vdekur në dëshpërim,
Për ata që ligësi mbollën,
Me shpirt thërras:- Mallkim! Mallkim!


Dritëro Agollit

Sa shumë t’i dëshiroj vjershat!
Je mjeshtër i vargut, vigan!
Vjershtat janë perlat e tua,
Qëmtuar në truallin taban!

Diku në një strofë ti thua:
“Falë Zotit, krejt nuk rashë!”
Nga kjo ti s’ke pse vuan
Siç vuan ndonjë Harambash!



Një lutje

(Rrapit të Bezistanit)

Rrapit Bezistan i bëj lutje,
Në një takim të veçantë
Të më presë...

E dua shpejt...E kam me ngutje...
Do të jetë pa vlerë,
Po të vdes...

Në arkivin e tij
Dua t’arkivoj
Më të sinqertat poezi...

Në origjinal ato t’i lexojë,
Pasi të jem bërë
Pluhur e hi...







Me nderim

Me nderim kujtohen burrat e parë,
Në minder, të ulur këmbëkryq.
Të urtë në fjalën e marrë me radhë,
Të rreptë e të drejtë kur bënin gjyq.

Si të mos i nderosh ata që fjalën
E patën me peshë në kuvend,
Ata që gjakun gjaksit ia falën
Dhe në llogore përkrah zunë vend?

Vërtet!... Njëri –tjetrit besën i dhanë
E besa i bëri si grushti, bashkuar.
Mëri e thashetheme mënjanë i lanë,
Së bashku rrebeshet përballuan.

Me nderim kujtohen burrat e parë,
Që kurrë nuk u trembën si t’urtë.
Ata Shqipërise ia lanë faqen të larë,
Të urtët e rreptë, të rreptët e urtë!...


Ka nga ata

Ka nga ata që s’ta duan të mirën,
Të mirën e duan për vete në duar.
Ka nga ata që s’e durojnë të vështirën,
Atë të tjerëve ua kane kunguar...

Ka që duan përkrahu t’i mbash,
Kur vete përkrahu s’të mbajnë kurrë!
Nga krahu i tyre duan të mos hash,
Kur krahun e tjetrit e pjekin në furrë.

Ka qe nderimin ia marrin të vjetrit
Dhe me hakun e plakut bëjnë pallë.
Ka që lopen e lënë në jonxhë të tjetrit
E tjetrit t’ia shohin të ngordhur në stallë.

Ca duan që lumin ta kalojnë shaluar,
Të tjerët të mbeten të braktisur matanë.
Nga shtepitë e tyre me drita mbuluar,
Të shohin shtëpine e tjetrit si han...

Në misrin e tyre gjithnjë të bjerë shiu,
Në misrin e tjetrit kurrë të mos bjerë.
Në arat e tyre të mos hyjë ariu,
Po misrin e tjetrit përdhe le ta shtjerë.

Ka qe edhe verën e duan të ftohtë,
Ka qe edhe dimrin e duan si verë.
Ka nga ata...Ç’nuk ka në këtë botë!
Mjaltë për veten!...Për tjetrin vrer...


Urrejtje

Përherë dëshirë kam pasur
Të jem një lis me çataj,
Me rrënjët në truall të kapur,
Me degët me zogj të pafaj...

Me rrënjët, nga poshtë t’i ngre
Vampirët!...Si zhele t’i flak!
Servilëve flakën t’ua ve,
T’i djeg në zjarr bubulak!...

Me rrufe t’ua pres kokën,
Kur vrasin me zjarr e hekur!
A s’janë këta që botën
E duan, të mbjellë me të vdekur?!...


Gatuar me specdjegës

Nga shtrati ngrihem edhe marr
Një laps e një fletore.
Kur vargu bëhet bisk i tharë,
E pres me gërshanore...

Do thonë se qenkam ca hajvan,
Nga mendja krejt i krisur.
Të qetin gjumë e bëj haram
Mbi vjershëzën e shpifur!...

Se ç’thonë, kjo mua nuk më prek,
Më nxit më tej të ec,
E di, e di se kujt i djeg
E gjellës vjershë, me spec!...



Fije shkrepse

Je në rrugë. Në mal shkon.
Bie borë e të zbardhon.
Bora grigjet grigjëron.

Erë e fortë dhe fërfëllizë.
Përballë shpati me murrizë,
Në trastë:bukë me pak gjizë.

S’duron qarri që është qarr!
Si duron?...Mos je i marrë?
Shtyhet rruga pa një zjarr?

Dorëmardhur në korije,
Nxjerr një shkrepse me një fije.
Bora shkrin.Si loti bie...

Me një fije...Ah, kjo fije!
Të jep frymë me ca karthije!
Ia hedh dimrit për një fije!
Eh,ç’kujtim prej djalërie!...






Lëngu i marrë

Para meje,veç një gotë,
Rri atje mbi tabaka.
Me qejf në sy,diçka më thotë,
Diçka që qejfi fort ma ka...

“Thithe lëngun tim,- më thotë.-
Më mbaj pranë si kurdoherë.
S’ka gjë se dukem si e ftohtë.
Jam unë që dimrin ta bëj verë.

Më puth, më puth, o hirësi!”-
Më lutet gota të dëfrej.
Une e pranoj me dashuri
Dhe me një frymë e rrëkëllej.

I nxehtë afsh seç më përshkon,
Sikur më bën ca më të ri.
Nga hallet shpirtin ma shpëton,
Më jep guxim, më bën qejfli...

O lëng i marrë!... Or ti shejtan!...
Më bën për vete e më dëfren.
Ma merr ti mendjen e s’ma mban,
Pas disa oresh prapë ma kthen!...


Letra e padërguar

Të desha shumë si asnjë tjetër!
Po s’munda kurrë të të çoj letër!

Dhe kur të shkrova një, veç një,
Prapë s’munda dot ta nis atë...

Tani je grua me një tjetër.
Kjo vjershë u bë veç për një letër!

Kujt t’i besosh

Plot hile-skile
Kjo botë e përdalë.
Dhe një tërfile
E bëjnë me fjalë.

S’jam i iriqtë
Me shpinë të gjembtë.
Se sa me të ligjtë,
Më mirë me qentë!...



Ankth dhe shpresë

Verë. Vapë. Fytyra të rreshkura.
Mllef. Ankth. Jetë në pasiguri.
Dallëndyshet në tufa të mbledhura
Të trembura ikin në arrati...

Lutje. Psherëtima. Brengë dhe lotë.
Sharje. Mallkime. U thanë se ç’u thanë.
Por anija u nis e mbushur plot
Me ëndrra në sy për botën matanë...

Shoh shkreti. I gjorë çdo shesh.
Po anija po çan dallgët në det.
Që larg erdhën dallëndyshet në mëngjes;
Gumëzhijne në hajat si zgjojë me bletë.
Pjell jetë dhe vendi më i shkretë!...



Thirret koha për gjykim

Ca gjykatës që unë njoh,
Thirrën kohën për gjykim:
-Kohë!...Ke humbur shumë kohë!
Dhjetra vjet ke bërë pushim...

-Unë s’jam kohë me mend të marrësh,
Në një vend nuk kam qëndruar.
Veç ju prap në post gjyqtarësh
Rrini lidhur këmbë e duar...

Ujku – ju e ju – çakalli,
Njëri-tjetrin e sulmoni.
Ngjallni sherr ku shuhet zjarri,
Vetëm prapthi të më çoni...

Dhëmbë ngulni mbi kopera,
Edhe ligjet po i zhvatni.
Unë jam koha, më e mjera,
Që ky komb në shekuj pati...

Shpejt dhe ju do lagateri,
Kur s’mendoni për askënd.
Vrapin tim s’e përmban freri,
Jo unë!...Ju gabuat rëndë!...



Marrëzi e ’97-tës

Diku dëgjohet një ulërimë...

Një klithmë vaji...
Dikush hiqet zvarrë...

Ç’u bë vrasësi?
Anonim...
Anonim...

I pafajshmi
Pa epitaf në varr!...




Kur bëhesh plak

S’të do njeri, kur bëhesh plak.
Kot zë qoshen...E përshëmton!
Përposh krevatit mban uturak,
Pa dashje...edhe të shpëton...

Keq me keq, kur ke në shtëpi
Një djalë-kukull, një guak,
Me pispillonjën-pispili,
Që të vramuset ty,o plak...

Athere ç’gjë të mbetet tjetër,
Teksa të duket vetja plesht?
I lutesh vdekjes, po dreqka jetë
Të dhimbset shumë dhe...hesht e hesht!





E fshehta

Nëse dikush ka një të fshehtë,
Ta mbajë kyçur mirë e mirë.
Se po ta dinë atë dy vetë,
Nuk ka për të më fshehtësirë.

Po munde turrua që ta kapësh,
Ajo u shit si plaçkë pazari.
Më mirë shtrëngohu,mos ta llapësh,
Të përfitojë prej saj zuzari!...



Kur të vdes

Frikën më të madhe e kam në banjë,
Se mos rrëshqas, bie si thes.
Të mbyll syte, pa njerëz pranë,
Aty në banjë kam turp të vdes.

“Aspak s’e kemi njohur mirë”-
Do thonë e gojës s’i vënë fre.-
“Na paska pasur shpirt të nxirë,
Prandaj i doli në hale!...”

Vdekjen njeriu s’e di kur-ku,
Po unë për vete po bëj kujdes.
Të bindur jeni edhe ju,
S’e meritoj në banjë të vdes!...



Kujdes zotëri

Zotëri!...Pse mbahesh më të madh?
Ç’ke bërë ti më shumë se unë?
Kur netë pa gjumë i gdhija jashtë,
Ti bëje aheng edhe në gjumë...

Zotëri!...Pse fryhesh si gjel?
Për vilën tënde të bukur?
Se si e ngrite,se sa ke vjelë,
S’do të gjesh vrimë për t’u futur.

Sa bukur që vishesh, mor zotëri!
Kostumi yt në këmbë qëndron!
Përbrenda teje një shpirt i zi
Të ziut djall seç ia kalon...

Mos u mburr me bark, zotëri!
A nuk vënë bark edhe qentë?
Dhjami që ke vënë me grykësi,
Po t’i dhjamos edhe mendtë...




Fati i njeriut

Nuk pret nga qielli, nga dyert e shtetit,
I jep jetë gurit, i merr kripë detit!...

Ka pasur dhe mbretër që humbën kurorën!
Njeriu bën fatin!...S’e shtrin kurrë dorën!



Pleqve te qyteti tim

Ecni rrugës dalngadalë
Në lulishte e në parqe.
Diku dridhni një cigare,
Diku një raki me kafe...

Çlodhni brinjët nëpër stola
Dhe kujtoni pak rininë.
Porsi rrobën që bren mola,
Po ju bren dhe pleqërinë...

Çamarrokër kini qënë,
Si këta filizat sot,
Por fuqia u ka lënë,
Ju shton rrudhat mot më mot.

Dhe kur bini për të fjetur,
Mendjen kini te mëngjesi.
Do t’i shihni gjethe çelur?
Do të vuani nga përdhesi?

Luti-luti ju përnatë
Që të ikni zemrën plot.
S’doni zi e as mandatë,
Sa të rroni te kjo botë.

Ecni rrugës dalngadalë,
Në lulishte e në parqe.
Diku dridhni një cigare,
Diku një raki me kafe...
Lotët

Mëkot t’i fërkoni sytë me qepë
Në botën tonë të marrosur.
Prej syve lotët dalin vetë,
Lotë gjaku për shpirtrat e gjakosur.

S’ka më të dhimbshëm se sa pikëllimi
I një loti të pastisur.
Lotë të kripur në sy përmallimi
Për vatrën e braktisur!...




Mjellma e bardhë...

Vetja m’u bë zog fajkua,
Nga qielli bëj një pikiadë.
Shpirti papritur m’u trazua,
Prej mjellmës së bardhë.

Për atë bëhem si i marrosur,
Ç’më ke plagosur, mjellmë e bardhë.
Sa shpejt më doli gjum’ i flamosur!
Te kishte zgjatur, djalli ta marrë!



S’m’u gjend asnjë

Dal nga një dhomë. Hyj në një tjetër.
Lë mënjanë librin. Filloj e shkruaj.
Zë thur një varg...E hedh në letër.
Kjo ndodh me mua me javë, me muaj...

Pastaj hap perden, të hyjë pak dritë.
Shoh që shëtitin... Unë po brënda...
S’m’u gjënd asnjë as kësaj dite
Të më nxjerrë jashtë nga dhoma a vetja.

Po ku janë shokët? Po kushërinjtë?
Ku janë ata që iu gjënda pranë?
S’po e çajnë kokën as dhe komshinjtë!
Do të dal vetë, t’i gjej ku janë...





Dashurisë

Eh, dashuria!...Nuk është shafran!
Nuk është lëng për t’u helmuar!
Këtë e thonë disa mjeranë,
Që kurrë-askënd s’kanë dashuruar!

Oh, dashuri!...Ki pak mëshirë!
Të lutem, zemrat mos plagos!
Si psherëtimë e psherëtirë
Melhemin gjej, mos na brengos!

Moj dashuri!...E zjarrta ndjenje,
Kur je e pastër, ç’të frenon?
Një mal pengesash nëse të venë,
Me krahë të engjëllit i kalon...



Hall mbi hall

Ora dymbëdhjetë.
Ra të flinte.
Shtrati krejt i shkretë.
Gjumi s’vinte.

Përgjysëm kish mbetur,
Vetëm,vetëm.
As i gjallë,as i vdekur.
Oh, të shkretën!

Vtëm fillikat
Ditëziu!
Më shumë i pafat
Fatëziu!...

Me kë të këmbente fjalë,
Medet,medet!
Me djalë e me vajzë
Në kurbet!...

Desh vdekjen më parë,
Vdekje e ëmbël.
I vjen për të qarë
Dhe në ëndërr.

Vdekja nuk ndjek radhë,
S’ke ç’i bën.
Ke hall a s’ke hall,
Aq i bën...

T’i largohesh, t’i afrohesh,
Nuk të pyet.
Edhe zotit, t’i ankohesh,
Ai fyhet...

“O zot, ndiq një radhë”-
Dot s’i thua.
Të përgjigjet: “Marr më parë
Kë të dua...”

Kjo botë ka çudira,
Hall mbi hall.
Kë vdes, e di perëndia,
Dhe kë ngjall...





Çast dëshpërimi

Hej ti atje!...Pa qasu pranë!
Bëj pak humor! Më bëj të qesh!
A nuk më sheh me shpirt të vrarë
Dhe sytë e mi me rrathë të zes?!

Një nepkë shullëri më ka kafshuar,
Nga dhembja, oh, ç’inat më vjen!
Duroj tani me të ofshuar,
Në çdo qelizë më futi helm!

Në udhëkryq rri i tronditur,
Nuk di se cilën rrugë të marr.
Më shumë se kaq nuk duhet pritur,
Më shumë se kaq, je një i marrë.

Që ta harroj, ma dashka ënda,
Po s’di pse ndjej në gji tallaz.
Nje çikëz gjumë e bëj më ëndrra,
I bërë ujem, duroj e s’plas...

Po borxhin s’rri pa jua kthyer,
Nuk i duroj borxhlinjtë gjithnjë.
Humor do bëj pa u kursyer,
Se s’ka nëpërke të mos e zë...




*****

Po eci kuturu, ku më çojnë këmbët,
Nuk di ku shkel, ku hedh çdo hap.
Ecën dhe koha që më sheh vëngër,
Se s’di ç’t’i marr, se s’kam ç’t’i jap.

I mbushur me ankth e i frikësuar,
I trembur jam, se mos rrëzohem.
Të vënë stërkëmbësh, të lënë gjymtuar.
Në këtë botë nga kush të mbrohesh?

Pse, dreqin, qenka kjo rrugë me dredha,
Kur mund të ish një rrugë e drejtë?
Përse në shpirt na mbijnë veç gjemba,
Kur jemi njerëz me gjak në dej?!...

A s’mund ta lëmë një udhë të humbur,
Të gjejmë të renë, të zënë përdore?
Ku jeni ju, o zemër-kumtur?
Pa ju çdo rrugë na bëhet qorre!





Kjo jetë...

Kjo jetë – e çuditshme,
Nuk di ç’të pret.
E gëzuar, e mërzitshme,
Me lekë e pa lekë.

I paska dy anë
Ku mundin e s’mundin.
Po njerëzit ç’kane?
Fillimin dhe fundin!...


Panjës

Sa herë të shikoj, sikur shoh një pjesë
Që më gjelbëron dimër dhe verë.
Për mua je ëndërr... Për mua je shpresë,
Që do të jetojë edhe kur të vdes...

Vjeshta shkon dhe vjen. Gjethet fshin pa fshese,
Porse mallin tim s’ma fshin asnjëherë.
Sa herë të shikoj, si çapken të qesh,
Sepse vetëm ti dimrin ma bën verë!...
Mall

O miq!...Kallp më ngjan rubini
Edhe moti-krejt i murrmë.
Pranë nipërve, floriri
Nuk më hyn në sy askurrë.

Ç’pezm, o nipër, kam në zemër,
Tek jam larg nga syri juaj,
Cilit vallë t’i flas në emër,
Ta puth e ta prek me duar?

Ç’mall për ju, o Marko, Tedi,
Për ty Sandri, Alb i vogël...!
Pa ju bosh më duket vendi,
Dridhet zemra porsi zogëz.

Ku janë zërat:- O gjysh Xhipi!
Kush ma heq këtë mërzi?
Ëndërr moj!...Se kush më thirri,
E di vetëm unë e ti...

Ah, që s’kam në dorë magjinë,
Veten, fap, ta bëja erë,
Të takoja nipërinë,
Me buzeqeshjet si pranverë!...

Mall i largët po me djeg,
Le te tretem si qiriri.
Ju kujtoj si zogj në degë,
Tek degjojnë ca këngë bilbili.


Motrës Vitori

Një syth shpëtoi kur u tha nerënxa
Dhe sythi u bë lastar.
Me zë bilbili shpërtheu kënga
Dhe vallja u mbush me kërcimtarë...


Ëndrra e nipit

Gjatë ëndrrës së tij, atë natë,
Sandri qe gjithë lumturi.
Me avionin e linjës së gjatë
U nis për Shqipëri...

Si dikur me këmbët e vogla
Shkallët e pallatit i ngjiti.
Dhe prapë, ashtu si përhera,
Derën ia hap gjysh Xhipi.

Ah, Sandri pastaj hapi sytë,
Gjyshin gjëkundi s’e pa...
Prej ëndrrës së vet u habit
Ndodhej në Kanada...


Dil, moj, dil...

Dil, moj, dil... Më mori malli.
Dhe durimi ka kufi.
Shih!...Ka çelur portokalli
Prapa portës ku rri ti.

Mos e mbyll, moj, veten brenda!
A e di sa vjet do rrosh?
Jeta qënka vetëm ëndërr,
Mos i shko minutat bosh!

Nëse s’do të vish me mua,
Domosdo, që keq më vjen.
Dil, pra, dil...Në sy ma thuaj.
Po s’më dole nuk më gjen...

Dil, moj mike... Mbete brenda,
E rrethuar mur më mur.
Po të dalesh, ma thotë mendja,
Do ta zbutësh zemrën gur...

Nuk di ku je...

Nuk di ku je, nuk di ku jam,
Sa shumë kohë e tretur!
Na njeh, na lidh, në fund na ndan
Kujtimet – vetëm mbetur...

Kudo që je, nëse je gjallë,
Besoj, s’do kesh harruar,
Të ëmblën puthje, më të parë,
Me buzë të përvëluar.

Si qengj i urtë, i drithëruar,
U ndjeva si me faj.
Oh, isha krejt i pamësuar,
Kujtoj e qesh ...e qaj.

Nuk di ku je, nuk di ku jam
Këtej a përmatanë.
Unë mbaj ndërmend, dhe ti e mban
Atë, puthjen e parë.


Më ëmbël se mjalti

Unë zemër-shpirt-tulatur
Si thëngjilli ndënë shpuzë;
Flokë-kreshp-e-gjak-përflakur,
Kur më ceke pak me gjunjë...

Kur më preke ti me gjunjë,
Nuk durova dot më zjarrin.
T’i përlava gushë e buzë,
Ta thëthita krejt nektarin.

Unë, i bërë zjarr e shpuzë,
Thashë se zemra kaq e pati
Ti s’m’i shqite ato buzë
Më të ëmbla se sa mjalti...
Ti më pyet!

Ti më pyet ç’pëlqej më shumë.
Çfarë të them i mjeri une?
Faqegropkat brymë-e-brumë...


Ylyverja

Ç’bën kështu, moj ylyvere?
Ngado shkon, bën veç qedere.
I le djemtë prapa dere,
Sikur je veç ti esmere...

Ç’bën kështu, vetull-kaleme?
Çele lulet nëpër shqeme.
S’ia di hiç për thashetheme
Nëpër shtigjet prej vapeme...



E fshehtë dashurie

Dashurinë tonë, sy-e zemër-prush,
Siç e ditëm ne, s’na e diti kush.

Nëna me babanë thanë: Jo e jo!
Po e fshehtë e zemrës ne na thoshte: Po!

Hëna, kur na shihte, prapa reve fshihej,
Që e fshehtë e zemrës neve mos na shihej.

Dashurinë tonë, sy-e-zemër-prush,
Siç e ditëm ne, s’na e diti kush...






Për çka ngjarë e ç’nuk ka ngjarë

Mos m’u zemëro ti,o gjengj i bukur.
Ashtu si ti nuk bëhem dot.
Mendimin unë e kam si flutur,
I lirshëm bredh ai në botë...

...Atje ku roje bën ushtari,
Në shi,në borë edhe në vapë.
Atje ku bie luftëtari,
Që çdo pëllëmbë e mbron me gjak.

Atje i fryn xhurasë bariu
E iso mban atje thëllëza.
Në zheg gjinkalla plas vetiu
E këngën la mu te nerënxa...

Dal që pa gdhirë,kur çel agimi
E vesa shkrihet në petale
E gonxhe-kuq çel trëndafili
E bari rritet në livadhe...

Atje ku lavrën e hap plori
E hidhet fara e shëndetshme,
Atje unë ndjehem më çapkënori,
Te det i bukës së përjetshme...

Pa zë e futem lart te retë,
Të shoh dhe shiun si krijohet.
Te cilët yje vallë ka jetë,
Të di:më mirë se ku jetohet...

Pa diellin shoh të flakërojë,
Ia ndiej gjirit ngrohtësinë.
Kur hëna zë të nusërojë,
Më zgjon dhe mua dhëndërrinë.

E bukur mirë me këta veshë
Dëgjoj buçimat e qershorit,
Ku i shkarkon ai rrufetë,
Përsipër majës së Tomorrit.

E hapin tim të madh kam hedhur
Nga njëri pol në polin tjetër,
E gojdhëna plot kam mbledhur
Për ca vezirë e për ca mbretër.

Nuk bëj dallim në ca të bardhë,
Të verdhë,mulate apo të zes.
A bën dallim vallë mëma dardhë
Për kokrrat-bija në shërbesë?...

Kulluar jam porsi lumenjtë
Që veç kullim dërgojnë me valë.
Mësuar jam nga të mëdhenjtë
Me urtësinë me pakëz fjalë.

Më rrjedh dhe mua në damarë
Komiti gjak me fustanellë
E çka ka ngjarë e ç’nuk ka ngjarë
I ndjej në shpirtin tim të thellë.








I papuni

Shikon si skuqen pulat rreth telit,
Si tapat e shisheve fluturojnë në erë.
Sheh zotrinjtë me bark të fryrë
Dhe rripin tënd, shtrënguar rreth belit.
Sheh në ëndërr një shishe me verë,
Që e pijnë ata me shpirt të ndyrë...

Pastaj të tjerë e shumë të tjerë
Që në “Omonia” presin në këmbë;
Ndonjë zotëri t’i marrë në punë
Vetëm për bukë,aspak për verë...
Veç punë po presin me shpirt ndër dhëmbë,
Ja,vetëm kaq...Asgjë më shumë...


Trimaçi

Dikë kam parë,mbërthyer gishtrinjtë,
T’i thoshte tjetrit:”T’i thyhej turinjtë!”

Po më dole mua një herë përpara,
Do ta bëj kokën me njëqind të çara...”

Dhe a dini pse,o njerëz të mirë?
Na ish trimaç,se ish i pirë...

Ditën tjetër,kur pija i kish dalë,
Kaloi anash me bisht ndër shalë...



Lere!...

Nëse qesh njeri,
Lere krejt të qetë.
Ai ka një gaz
Që i jep shëndet.

Të mos vdes i ri,
Qeshja i jep jetë!

Në të shan njeri,
Lere,le të shajë.
Le ta zbrazë dufin
Majë e përmbi majë.

Le të thotë ç’të dojë!
Në e ka gabim,
shpejt do ta kuptojë...
Ah!

Sa dëshirë që kam,
Ah,të jem një kalë,
Që të mbaj një nuse,
Veshur me të bardhë!

Veç më ruaj, zot,
Mos jem pjesë e lojës
Që po luhet sot
Si me kalë të Trojës!...


Gjakmarrja

Sa shumë rëndon gjakmarrja,
Me plagë,me gjak,me lot.
Vritet prej saj e ardhmja,
Pa ardhur ndjen dhimbje që sot.

Një krismë diku dëgjohet,
Një burrë varroset në dhe.
Një nënë nga lotët qërrohet,
Një nuse as kokën s’e ngre...

Emri i vrasjes përpihet,
Një tjetër zë radhën që ka.
Vdekja zë qesh e zgërdhihet,
Veç rrobe të zeza në gra...

Që në bark të nënës fëmijën
E pret gjakmarrja-lubi.
U mplakën nuset,u thinjën,
Përsipër çative tym gri...

Dhe thonë se ka qeveri!...




Takova Ameliun

Vajta të takoja Ameliun.
Më kishte thekur malli.
Ec e pyet,ia gjeta shtëpinë,
Ta rëmoja për së gjalli...

Një fjalë e qaj...Qaj e një fjalë...,
E brente i shkreti merak.
Koka thinjur si majëmal,
Tetëdhjetë vjeç e kusur plak.

Ah, kjo vëndlindja, sa e ëmbël,
E kujt s’i del para syve?
E kujt s’i shtiret në ëndërr,
I mençur qoftë a i çmëndur?




Dikur dhe sot

Natën në varreza nuk kaloja,
I vetëm rrija në shtëpi.
Xhinde dhe hije mendoja,
Kur vdiste në fshat një njeri.

Kujtoj atë kohë të kaluar
Dhe qesh,por qeshja më tret.
I thinjur,me ballë të rrudhuar,
Kam frikë mos vdes unë vetë...


Çoçomerja

E ndeza sot një çoçomere,
U bëra pak si Don Kishot,
Kur pashë thërrime e kothere
Tek hanim bukë në sofrën plot.

-Po një avaz ke ti,-thotë djali
Që qortimet s’m’i do aspak.-
-Për hiçgjë të hipën damari,
Të ka mbirë kursimi në gjak.

Dil e bëj ndonjë shëtitje,
Je huqli,ngaqë s’ke dalë.
S’të vjen keq që kësaj dite
S’gjen një shok, të bësh dy fjalë?

I them gruas :-Moj lanete,
Më dhemb shpirti,ja,këtu.
S’kam punuar veç për vete,
Kam djersitur dhe për ju!...

Ah,e kam,moj,për këta,
Pa bukë gjumi s’i ka zënë,
Që s’e njohën kohën “s’ka”,
Ditë të tëra të pangrënë!...



Zemër prindi

Shpirti-mbushur plot me mall,
Sytë-të mbushur plot me lot.
Dua veten ta përmbaj,
Po, ja, s’u përmbaka dot...

Pyes veten : - Pse ?...Përse?...
Pse na lanë këtu të shkretë?
Pse s’u bëhej mirë me ne,
Po kërkuan tjetër jetë?...

Ikja e bijve- një çudi,
S’e kuptoj pse-në as sot.
Cërr,ndjej zilen në shtëpi,
Vij përqark...Më rrjedhin lotë...

Të kam pranë, o telefon,
A t’u flas a mos t’u flas?
Zemra thotë: - Ti po gabon!
Nga inati sa nuk plas!...

Më ngjan vetja pa njeri,
Kurse jeta – ëndërrkote.
Kur s’jep më përkëdheli,
Çfar t’i japësh kësaj bote?

Të kam pranë, o telefon.
Nga durimi sa s’pëlcas.
Zemra thotë : Ti po gabon!
Falmë, zemër!...Ja, po flas!...


Mall i ndezur

Ika atëhere, sapo më erdhe,
Si lule ishe, plot me aromë.
Gjithë ëmbëlsinë tek une e derdhe,
Porsi nektar ne thekë të njomë.

Si ujë të thitha, si tokë e zhuritur,
Më njomështove në shpirt te djegur.
Kur sapo erdhe, ika papritur,
Me vete mora veç mall te thekur...



Ah, kjo zemër....

Sa kam ndryshuar!
Sa jam i zbehur!
Në këmbë, në duar
Ndjej një të therur.

S’lexoj pa syze
Me numur katër.
Veç me të thirrur
Dëgjoj nga afër...

Kur shoh përjashtë
Gjinj të shkopsitur,
Rreh zemra fort
E përpëlitur...

Më ndizet shpirti
Si i përflakur,
Por, ah, kjo zemër
S’pranon të mplakur!...



8 Marsi...

8 Marsi sot, ditë shenjtërie,
Për nënat-gra kudo ne botë!
Mëkojnë të ardhmen me lëng gjirie
Dhe jetën mbrojnë në llohë e shqotë.

Për mua sot, nje dite trishtimi,
As lule s’marr, s’jap përqafime.
Si s’pata kurrë një ditë gëzimi?
Sa për kujtim të jetës sime?...

Në këtë çast harroj trishtimin,
Me zemrat zemrën e bashkoj!
Në shpirtin-mars çel ngazëllimin
Dhe nënat-gra i përqafoj....



Shqipëria ime

O moj Shqipëri,
Moj nënokja ime,
Mbete ti më prapa,
Hirushe-jetime...

Ikën para shoqet,
Ti porsi e ngathur,
Zor se i arrin
Duke ecur zbathur

Po ç’të mungon ty,
Më thuaj, moj zemër!
Thellë në histori
Bëre vetëm emër...

Ty s’të ka munguar
Fusha , deti, mali.
Sytë i ke të llumur
Si me llomë moçali.

Zonjë e kryezonjë
Ke qenë e paprekur.
Ç’zheg e cila vapë
Ty të paska djegur?

Plot me gurgullima
Gurrat lart ne male.
Nëpër çezmat tona
Uji s’pikon fare...

Detin ke dhe plazhin
Dhe përsipër diellin.
Lopët qumështore
Hajnët na i mjelin...

Livadhet, kullotat
Ngado gjelbëruar.
Në tenxheret tona
Zjen mish i klonuar.

Këto mrekulli
Na i fali Zoti
Por kjo ora jonë
Ka mbetur që moti.

Shqipëria ime,
Moj nënokja ime,
Gjithnjë e ofshuar
Veç me pikëllime.

Sa shumë të genjyer
Sa shumë të mashtruar!
Shpirtra të gërryer
Porsi në të shkuar...

Mbushur plot spitalet,
Të sëmurë, të marrë.
Në çdo pëllëmbë rruge
Këmbët osh-e-zvarrë...

Toka, mbetur djerrë,
Vetëm bar dhe kashtë.
Bukën tonë të gojës
E sjellim që jashtë.

O moj Shqipëri,
Dademadhja moj,
Pa më thuaj ti
Me se të jetoj?...

Për këtë Evropa
Më ka mmbyllur derën.
Se ke grerat lart,
Të kanë si mëshqerrën.

Mos e fal floririn
Tek disa biçimë!
Keshtu të qaj hallin
Unë dhe brezi im!...

2004



Marrëzitë e tranzicionit

Jetojmë kohë të vështira,
Zotëron veç errësira...

Kush e kush t’i hedhë tjetrit,
Qoftë te mirit, qoftë të vjetrit.

Kush firmos, kush ve nje vulë,
Për një shkresë të rjep si pulë!

Shteti im, te bëfsha mutin!
Rrjep te ndershmin, majm hajdutin!



Dashuri

Do ta dua Shqipërinë,
At-e-mëmë-dhe te dashur.
Dhe në marrsha arratinë,
Do jetoj me shpirt te plasur.

Do të ndjehem i vetmuar,
Do ma djegë zemrën malli
Nëpër lotë të pikëlluar
Do të tretem për së gjalli

A do mundem që ta shuaj
Zjarrin tim nga përmallimi?
Do të ulem dhe do shkruaj
Vargje zemre si Naimi...


Ata dhe këta

Studiuan,
Punuan,
Ndërtuan
Një jetë të tërë me nder.
U shanë,
U flakën,
U zbuan
Si plaçkë e vjetër pa vlerë.

Në sofrën e madhe u shtruan
Ujk,
Çakall
Dhe derr.
Çdo gjë e siguruar
U vodh,
U dogj,
U bjerr...




Poeti dhe një tjetërkush

Tjetërkush nën zë më tha:
-Unë punoj...Fitoj para.
Po ti ç’bën, o i uruar?
Jeta s’shkohet me të shkruar!
Puna jote bukë nuk ha!...

I përgjigjem qetë-qetë,
Siç e kam merakun vetë:
-S’e ke mirë, o mendjeshpuar.
Porsi rërë paraja tretet,
Kurse puna ime mbetet...



Këshilla antistres

(Nëse s’doni, mos besoni)


Flake frikën, hiq fiksimin!
Jeto jetën si të vjen!
Me të dobëtin, mos bëj trimin!
As me trimin, mos bëj sherr!

Lere tjetrin të jëtojë!
Mos rënko me uh e ah!
Lerja kohës të gjykojë
Çdo-secilin maskara!

Mos përdor ti kërcënimin!
Gjakun tjetrit mos ia prish!
Qofsh tifoz tejdurimit,
Çka se lindur me këmishë!

Dhe hakmarrjen flake tutje!
Fali bosët faqezinj!
S’ke pse turresh ti me ngutje!
Puth te mirë e puth të liq!

Mos t’i dalësh mushkës prapa,
Kur tët zot e ke përballë!
Mos të zër përjasht as vapa!
Veri kalit kapistall!

Për ndonjërën, në të vajti
Mëndja jote, nuk ka gjë!
Nëse bytha nuk ta mbajti,
Kot hap sherrin me ndonjë!

Nëse gjëlla ngjan shëllirë,
Gjakun tënd ti mos e prish!
Lavdëroje:”Sa e mirë!”
Dhe shijoje urtësisht!

Edhe gruas, po ia drodhe,
T’i bësh be për dashuri:
“Ku më je, moj kapërolle?
S’ka si unë e s’ka si ti!”

Priftërinjtë mos i shaj!
Kur të flasin, bëj amin!
Ramazan e kreshmë mos mbaj!
Ndero kishën dhe xhaminë!

Ja, këto po i besove,
Ti nuk ke për t’u penduar!
Thashetheme po dëgjove,
Bëj sikur s’i ke dëgjuar!


Kush, o popull

Kush, o popull, kush
Ty ta nxiu jetën?
Kush t’i preu ëndrrat
Nëpër rrokopjetën?

Kush, o popull, kush
Të tregon Evropën
Dhe po përdor kazmën
Të të bëjë gropën?

Kush, o popull, kush
Po t’i rrëfen dhëmbët
Po t’i krasit krahët
Po t’i pret ty këmbët?

Ç’qenka kjo shushunjë
Kaq e horoskopur
Që të pi në gjunjë
Gjak e s’ka të ngopur?

Ç’të ka sorollopur?!...


Gjuha...

Ah, gjuha merr të prerë,
Pikon mjaltë, pikon vrer!
Di të shajë, të mallkojë,
Di si grerëz të pickojë!

Në mjaft raste,kur nxiton,
Të dërrmon të poshtëron!
Fët e fët të fut në lojë,
Të të bëjë katran me bojë!

Sa e hollë! Sa e mprehtë!
Ç’ka të sajën, e mban fshehtë!
Di ta bëjë mëndjen dhallë,
Të gënjen! Të sjell vërdallë!

Jo të gjithë e kanë të tillë,
Veç me teka e me trillë!
Ka dhe gjuhë që mjaltë lëshon,
Si ilaçi të shëron.

Kur ke hall, të jep shpresë,
Nuk e le ajo të vdesë.

Ajo di të të urojë,
Në të keq, të ngushëllojë!
Frenon fjalën e pështirë,
Këndon psalme si psaltir.

Por ka raste, miku im,
Gjuha merr dhe nënkuptim.
Nëse je i zemëruar,
Shkatërron çka ke ndërtuar.

Një i urtë ka thënë një herë:
- mat shtat herë e pre një herë!



Ti nuk ke faj

Në njërën dorë lejën firmosje,
Në tjetrën-
Zarf-xhepin plot.
Me këtë nderin lerosje
Me të parën,fët një kioskë.

Tani firmës i doli boja,
Punë e madhe që s’hedh firmë.
Ajo firmë
Qe vet loja,
Për një vilë,
Për një makinë...




Kur hipi tek fiku

Mëngjesit qe i mirë,
Por koha vate, iku.
I dukeshim si miza
Kur hipi lart te fiku.

Për kokrrat majë më majë
Iu qep si një majmun,
Por këmbët, ah, i shkanë,
Nga maja ra në fund.

Kur preku tokën mëmë
Ku mbeti i gjymtuar,
Seç solli nëpër mënd,
Me dhembkë të paduruar...



Nëse dikush

Nëse dikush të hedh thërrime,
Nuk duhet t’i hash...
Vlera jote behet hime
Pa u bërë
Kulaç me djathë...




Po qe lis

Nëse mbron një të vërtetë,
Qëndro fort!
mos u tund !
Po nuk pate hiç të drejtë,
Mos u bëj si arra gungë!



X X X

E kanë thënë më të vjetrit,
Dëgjoje me vëmëndje:
Po i bëre gropën tjetrit,
Gati bëj
Dhe gropën tënde...



X X X

Kur dikush të zgjat dorën
Dhe të lutet:
-Më fal pak!
Në mos mundsh, freno gojën,
Dhe përçmimin bëje zap!...



Ti dhe unë

Ti je i ri.
Unë jam i vjetër.
Unë – i dobët.
Ti – i fortë.
Ma jep dorën! Njihe jetën,
T’i bëjmë ballë kuçkës botë!...


****

U zgjova. Erë gjaku.
U ngrysa ne dritë.
Nje dritë fraq...

Do te ngrohem një ditë?!

2 komente:

JaCk tha...

Greetings from Italy and compliments for your blog! :D

Nexhip Bashllari tha...

Hi Jack

thanks for stoping by and for the comments. I live in Albania. I will visit your blog very soon.

thanks again

------------------
Pershendetje jack

Falemnderit qe ndalove per pak ne blogun tim dhe per komentet e tua. une jetoj ne Shqiperi. do e vizitoj blogun tend shume shpejt

falemnderit prape