05 mars, 2008

S'kam kohë të vdes - Kreu I

Kreu I: MË NDJEK NJË DIELL




Dhimbja e strehëzës

U gjerbova duke pritur,
Prit e prit… Nuk mbahet mend!...
Po në ç’vend më paski ikur,
Ku më jini, miq, në ç’vend?

Ndjehem qyqe majë bliri
Rrahur shi e fshikur shqotë,
Krejt i thatë më mbeti gjiri,
Sytë më rrjedhin pika lot.

Kush t’ma ndezë pakëz zjarrin
Kush dhe dritën të ma ndezë?!
Kush t’ma shuaj pakëz mallin?!
Kush…Asnjë s’troket në derë.

S’ndjej më çapa vocërraku,
As dhe ison që të ziejë,
Nuk më ulet kush te pragu,
S’kam të pritur, të përcjellë.

Bëhuni njëherë të gjallë,
Të mos ndjehem krejt e mjerë,
Të ndiej hapa nëpër shkallë,
Të nxjerr mallin, të thaj vrerë!

U gjerbova duke pritur…
Pritja qenka pik e helm.
Ndjehem si kandil i fikur,
Si një shpirt që heq e merr…



Dorë e ngrohtë mbi supin tim

Shpirti-mall mbushur me majë
Si pite me hoje mjalti,
Ëmbëlsinë për ta zbrazur,
Rrugën mora për nga fshati.

Ja dhe kroi që i paç kënduar,
Dy grusht ujë dhe pas kësaj,
Shkoj te strehëza i përmalluar,
Kokëulur, i zënë në faj.

Me dhimbje-mall për strehën time
Të mbetur larg e të vetmuar,
Mes visoresh krejt jetime,
Mes brejtësve kohë rrënuar.

Rreth e qark i vij me dhimbje,
Futem brenda heshtur pak…
Shoh imazhin e një ikje,
Ikje tmerri, hap e vrap.

O, ç’rrëzim muresh të gurtë,
Shurdhmemece heshtja që vret.
Po ku janë burrat e urtë…,
Dhimbje-dashurat nënetë?

Si bisk thane, oh, si dridhem
Dhe në duar kokën marr,
Vuaj, grindem edhe çirrem,
Ulërij i plasur në vaj.

Dorë e ngrohtë… mbi supin tim:
-Duro! Gjakun mos e prish!
S’vonon shumë…Te mëma klloçkë,
Zogjtë do kthehen gjith sërish.




Ku zhuzhit e kullot bleta

Mos u lodhni të më gjeni,
Gjithë mundimi u shkon kot.
Si Naimi, tej te bregu,
Vështroj delet në kullotë.

Tek ndjej flladet pranverore,
Fëshfërimat gjethe-pemë,
Shtrihem butë në bregore,
Dielli sytë m’i rrëmben…

Zë shëtis nëpër livadhe,
Ku mbledh lule trëndelinë,
Ku shkel tokën bukëvale,
Shuaj mallin, ndez rininë.

Mes aromash i përkundur,
Ku zhuzhit e kullot bleta,
Të më gjeni s’është e mundur,
S’u mjafton e gjithë jeta!




Hallakatja mbi letra

U tretën vitet si qiriri,
Tretur pak edhe nga pak,
Përmbi stol në hije bliri,
Vështroj, ngopje s’ndjej aspak.

S’ndjej të ngopur së vështruari,
Ato… që s’mundem t’i zë dot,
Falmë, o Zot, një vit rinie,
Ç’më ka mbetur,… t’i fal sot!

U shkrinë vitet, përgjithnjë
Më të ëmblat, më të sertat.
Ç’më ka mbetur? Pakëz gjë…
Dy kafe në ditë dhe letrat.

Përmbi letra hallakatem,
Qesh e qaj me gaz e derte
Nuk kam kohë mbi to të mbart,
Gjithë kujtimet e kësaj jete!






Këngë moj

Këngë moj, krahengjëllore,
Nuk t’u ndava asnjë hap.
Më dhe rreze diellore,
Me to shpirtin ma përflak

Këngë moj, si brucë çobani
Më ke mbrojtur në janar.
Me aroma jargavani
Ditët ti m’i bën behar.

Këngë moj, s’e shtyj dot jetën,
Pa ty jeta s’ka kuptim.
Mos më lër, të lutem, vetëm!
Jam një bisk në drithërim!



Veç këtë…prej teje dua!

Fryj, moj erë, më merr me vete,
Merrmë, moj, se s’ka se si,
Shpirti mbushur malle, derte,
Të qetohet këtu ku rri.

Merrmë, moj, dhe më degdis
Atje… Ku, për herë të parë,
Pashë diellin të më ndrisë
Ku kam qeshur dhe kam qarë.

Merrmë, merrmë, mos u druaj!
Hije do të qepem pas
Veç këtë prej teje dua,
S’duroj dot, e më, sa s’plas!…



Ç’më ke këndellë moj vjeshtë e parë !

Të kam dashur, vjeshtë e parë,
S’të braktisem as dhe sot,
Ti dikur më ndeze zjarrë,
Që dhe sot më mban aq ngrohtë.

Ajo, vjeshtë, ka mot e ikur,
Brënda saj jam kredhur thellë,
Veçse sy e shpirt të ndritur…
Ah, moj vjeshtë, ç’më ke këndellë!



Heshtur pres kalin e bardhë

Te bregorja përmbi gur,
Këngë zogjsh dëgjoj me ëndje
Me vështrimin si dikur…
Veç atë…e sjell në mendje.

M’u ndërmendën gjith kavakët
Edhe pleqtë supekërrusur
Pranë kroit në mes fshatit
Me duhan çibukët mbushur.

Eh, sa çerdhe përmbi plepat!
Pleqtë duke kuvenduar.
Eh, sa duar tundnin djepat!
Dhe sa këngë me iso - shtruar!

Nëpër djepet kalamendur,
Trembnin frikën me ninulla,
“Fli, o shpirt, të bëhesh dhëndërr,
Sot vatani kërkon burra”!

Sa më lart krejt plepat ngjitur,
Këmba - këmbës ndjekur fshati,
Lënë folenë zogjt’ cicëritur,
I përplotur sheshi i Patit.

Kujtoj gishtat e çukitur,
Ato nëna, ata etër,
Nëpër rrugët çapalitur,
Sot i preh një botë tjetër.

Para tyre me përulje
Sjell kujtimet radhë - radhë,
Me respekt - një tufë lule.
Heshtur pres kalin e bardhë.




Pema e vetmuar

Mal në shpirt e mal mbi shpinë,
Me zheg vere më djeg malli.
Zogjtë lanë fole-shtëpinë
S’ka më këngë bilbil-gjyzari.

Pemë e hijshme rri e ngrysur
Dhe lëvorja i ka krisur.
Ç’kishte lule, i janë vyshkur,
Era tej ia ka degdisur…

Pema qenka e trishtuar,
Rri e prêt e bën durim.
Përtej dimrit- egërsuar,
Ëndërron për pak blerim!



Strehëzës

Ç’më këndelle, streha ime,
Si e fshehur në zabel.
Para teje, porsi hije,
Më ngjan Kulla Ejfel…

Me përkundje nanuritëse
Më ke dhënë flatrim krahësh.
Që të ika…të lashë vetëm,
Oh, të lutem, të më falësh!...

Nëpër ditët dritëhije
Edhe netve terr në sy,
Mendja ime nuk të shqitet,
Fle e zgjohet bashkë me ty!



Këngë gurgullimash

Më mori ëndrra me vete,
Pas saj-gjurmë më gjurmë.
Më çoi rrëzë një bjeshke,
Ku shtruar ia merrte një gurrë.

I ndenja gjatë karshi
E piva nga uji i argjendtë.
Gurra m’u bë poezi,
Gurgujt m’u kthyen në këngë.


Pa titull

Më vriten brinjët
Në dyshek sfungjeri,
Më çmendën ëndrrat!...
Më çoni të shtrihem nën gunë
Ku blegërijnë shqerrat
Të bëj një sy gjumë.



Vitet e rinisë

Vitet e rinisë s’i kam me vete,
Kanë mbetur atje, në Gorë-Opar…
S’më binden të vijënë këtu pranë meje,
Qëndrojnë në vendlindje lampadar.



Gjurmët e lëna në rreshta

Gjurmët e mia, të lënë në rreshta,
Ku bulëzat e djersës s’janë tharë mirë,
Kisha dëshirë t’i hidhja në vjersha,
Por, ah, mjerisht, të gjitha janë fshirë!...

Janë fshirë nga Krraba deri në Shëmtirë,
Nga Sopoti, Devri s’ka mbetur një gjurmë.
Qiell i qendisur në gjithë Shqipërinë,
Kanë mbetur kujtimet e netve pa gjumë…



Aromë rinie

Ndjehesha zog përsipër reve
E flatrat rrihja me vërtik,
Mblidhja pllajës luleshqerre
S’ndjeva si ikën ato ditë!…

Pas lulesh çelur plot me erë,
Shtojzavallesh me gërshet,
Me syrin prush te një derë
Prisja të dilte, hëna, vetë…

Kitare, tinguj ajo kohë…
Më kredhka thellë në vegime,
E ndjej të mbushem me aromë.
Të jetë ajo rinia ime?

Aromën që pata harruar,
Si qyqja shkretë, pa fole,
Dielli sot në të perënduar,
Më ngacmon, s’më lë të fle.



Kënga ime

Këngën s’e mbajta ndër dhëmbë,
E lashë të lirë,… si zog,
Me kohë… u ngrit në këmbë,
Me këmbët e ngulura në tokë.

Këngën s’e lashë të venitet,
I fryva zjarrit të prushtë,
Dhe sot e shoh te ngjitet,
Të çajë shtegun e ngushtë.



Liqenit sytë nuk ia shqita

Dhe ja, ky mëngjesi i sotëm,
Me rreze dielli, sigurisht,
Më bën të qesh, e më mban ngrohtë,
Se jam mes shokësh, e mes miqsh.

Jam mes njerëzish të një gjaku,
Që koha na ndau pabesisht
E këmba s’na shkeli te pragu
E dhimbja u ndje tmerrësisht.

Ndodhem bash këtu në Strugë,
Dhe liqenit sytë nuk ia shqita
Sa e shkurtër ish kjo rrugë
Sa e gjatë m’u duk tek mbrita!

E ç’mban në gji ky Mal i Thatë,
Ky liqen ç’murmurin vallë?
Ç’i përcillka Drini shtatgjatë,
Dertet, këngët. Valë e fjalë.

Këtu, mes jush, ndjehem i lumtur,
Si vëllai me vëllezër.
Në mos thënça këngën bukur,
Iso, do të mbaj, patjetër.





Nostalgjia ime, simfoni e pyllit

Ja, ku erdha prapë, por jo si dikur…
Kopesë përpara, me krrabën në dorë,
Gunën përmbi supe, fërshëllimë në buzë,
Te kërmitja kecat dhe cjapin përçor.

Vjen kokulur miku yt i vjetër,
Humbur bulevardesh me zift katranosur,
Vij për këngë zogjsh, si kërcen një ketër,
Fëshfërimë gjethesh, me brengë tejngopur.

Vij si mik i vjetër, i thekur nga malli,
Të qetoj pak shpirtin, trazuar- tallaz
Si në dimrin tënd rrudha-rrudha balli,
Të prehem pak çaste, shpirtin tim të zbraz.

Të vështroj thëllëzat tufa-tufa ngrehur,
Krraket e trumcakut, këngët e bilbilit,
Skifterin-pikiadë, mbi lepur, i kredhur,
Gurgullimë ujërash prej lotëve të dimrit.

Poshtë nën gjethe të zbuloj kërpudhat,
T’më kullosë kopeja në bebe të syrit,
Përkarshi livadhet kuqur luleshtrydhet
Nostalgjia ime: simfoni e pyllit.

Erdha, por çfarë gjeta? Ç’po më ther kjo zemër,
Tek të shoh të plakur, tek të shoh gjymtuar!
Po ku ma ke nurin? S’ke më atë emër!...
Oh, si nuk u prenë, s’u thanë ato duar!

Oh, ç’të paskan bërë! Maja thika ngulur,
Thellë në mushkëri, prerë kapilarë,
Prej dhimbjes së plagës rrëke lotësh turbull.
Eh, s’ke çfarë të presësh nga njerëz bastardë!




Ishe shtrig, a…

Shtrigan, djall, nuk di çfarë ishe!
M’u qepe me gur në trastë,
Si qen rrugësh veç kuisje,
S’më lije të qeshja pakë.

Në zbardhimin e çdo dite
Siç e prêt lulja mëngjesin,
Si hijenë prapa më ngjiteshe,
Për çdo ditë ma vidhje diellin.

Veç një ditë, ah, një ditë!…
Si thëngjill u dogj kjo hije
Buzëqeshja, pas çdo prite,
Çeli si lule qershie.



Më lini...!

Më lini ta pi një gotë,
Një gotë mbushur me raki!
Më vjen çudi, por ndjej të ftohtë,
Edhe pse ditë me zagushi.

Më lini të bëhem xurxull,
Të harrohem për një çast,
Të mos shoh ujin e turbullt,
Që më ç’mend edhe më plas.

Veç një gotë të rrafshuar,
Që ta ndjej veten sulltan,
Në harem mëndafsh mbuluar,
Të thith erë jargavan.

Nuk ka komente: