28 shkurt, 2008

Rreth vellimit poetik " MALL I BRENGOSUR"

Leter nga Nexhip Ejupi per Nexhip Bashllarin


I dashur shoku im dhe miku im Nexhip!
I rikthehem hera-herës librit “Mall i brengosur” dhe ndjej kënaqësi të veçantë për secilën vjershë të këtij libri të arritur artistikisht.
Që në titull unë kuptoj moshën e thyer. Këtë mendim ma përforcon edhe folja “mbërthej”. Je në gjendje të dëshpëruar shpirtërore…Në një tryezë-vetmia. Karriket bosh-boshësia. Vetmia jote ndodhet përballë bukuroshesh dhe bukuroshësh të lumtur. Edhe ti dikur ke qënë i bukur dhe ke dashur një të bukur. Ama dikur… Nuk ka më keq se sa kur kujton një moshë të re e të lumtur i mbërthyer nga thinjat! “Krejt si ata- rinia ime, buzaqeshur, buzagaz…” Megjithatë ti nuk je si “vjeshtakët” e të tjerë me bostun, që e kalojnë kohën me domino… Ti ke gjetur një zgjidhje kuptimplote, optimiste, një shtegdalje prej zymtësisë e boshësisë… Ti kridhesh nëpër vjersha duke iu shmangur kotësisë, mërzisë… ti kapërcen vjeshtën e moshës së bardhë duke iu rikthyer viteve çapkëne, ndërsa dimri plak i ngjitet malit përkarshi…”
Ikja e dimrit!… Kam parë shumë dimra në fund të dimërimit të tyre. Ca janë të furtunshëm, me borë,me fraq, me ngrica… Ca më të butë, aq sa çelin mimozat e kumbullat e bajamet e kajsitë… Dimri yt, o xhexho, është i këtillë, i pleqëruar, i urtë, e pranon ikjen dhe tërhiqet qetësisht në guvat e malit ku s’i shkrin bora kurrë. Doemos, që fusha do të mbushet me jetë, me punë me njerëz, me bardhësi kumbullash e bajamesh e kajsish…Shpërthen dashuria në të gjitha moshat… Sido- mos të rinjtë që u zënë pritë vashave me lule në duar…
Jo mëkot ato dalin lëndinave… Edhe për të parë, por edhe për t’u pare… Dhe qielli është gri… Dhe jeta zhurmon… Dhe zemrat dehen nga e ëmbla dashuri…
“Ikja e dimrit!”- një tablo plot jetë, plot gjallëri, motiv për piktorin e merituar, Xhemal Lufta.
Vjersha tjetër që më tërheq vemendjen është “Ka nga ata”. Kjo vjershë është ndërtuar në bazë të një kontrasti të vetëm: të mirët dhe të këqinjtë. Të këqinjve gjithnjë kërraba u tërheq nga vetja: të mirën e duan për vete, thua ti si poet. Këta, të këqinjtë, janë soje-soje: në përtacë “që s’e durojnë të vështirën”; në lajkatarë: “Me hakun e plakut bëjnë pallë”; në përtacë; “Vetë përkrahu s’të mbajnë kurrë”; në cmirëzinj: “Lopën e tjetrit(duan) ta shohin të ngordhur”, “Lumin ta kalojnë shaluar”, “Shtëpinë e tjetrit ta shohin si han”. Mbyllja e poezisë është e gjetur, sepse nume- racioni i të këqinjve s’ka fund: “Mjaltë për veten… Për të tjerët vrer…”
E bukur është dhe poezia “Fije shkrepse”: flet për një kujtim djalërie: ditë dimri; ftohtë; je larg vatrës me zjarr dhe ti mund të ngrish në dëborë. Pikërisht në këto çaste dramatike, vjen mrekullia… Duke rrëmuar nëpër xhepa, gjen një shkrepse vetëm me një fije… Vetëm me një fije! Doemos gëzohesh, por je dhe në mëdyshje… Po sikur fija e shkrepses të mos ndizet?… Të jetë e lagur?… Të të thyhet e të laget nëpër llohë?… Por jo!… Fija e vetme t’u bë shpëtimtare…

Me një fije… Ah, kjo fije!
Të jep frymë me ca karthije!
Ia hedh dimrit për një fije!

Trivargëshi në të gjitha strofat është i ndërtuar me rimë të plotë, gjë që thyhen monotoninë gjatë leximit të vjershave të tjera. Mire bën që kalon nga strofa katërshe në strofën dyshe apo treshe. Edhe tankat i japin ngjyresa vëllimit, e zhdërvjelltë -sojnë frymëzimin, e begatojnë atë.
Poezi e shkruar me inat poeti është ajo ku thirret koha për t’u gjykuar. Kjo poezi e shkëlqyer i ngjan edhe fabulës: koha flet, kundërvihet, gjykon, akuzon, vë me shpatulla pas murit të ashtuquajturit gjyqtarë, që s’janë gjë tjetër veçse ca rru- fjanë zhvatës. Ti i quan ujq e çakenj… Dhe të drejtë ke kur thua se i ngulin dhëmbët në kopera, pra, në popullin e shkretë me të cilin tallen si macja me miun e shkalafitur
Mbyllja është në strofën e katërt dhe shumë kuptimplote: “Unë jam koha, më e mjera, / që ky komb në shekuj pati…”
Poezia “S’m’u gjend asnjë” flet për një force plogështie apo mërzie, apo vetmie, apo brengësie,- gjendje kjo që ka vetëm një ilaç: shokët, miqtë, të afërmit, komshinjtë… Mbyllja është e gjetur: “Do dal vetë, t’i gjej ku janë…”
Gjatë leximit të këtij vëllimi interesant për mua, vë re disa thirrje, ofshama, klithje, bërtitje, pyetje, të cilat e ndihmojnë poetin për tÇu çliruar nga një lloj stresi të jashtëm apo të brendshëm… Them “stres të jashtëm”, pasi ta shkaktojnë të tjerët.
Një stres i jashtëm (me thirrje):

Hej ti, atje!… Pa qasu pranë!
Bëj pak humor! Më bëj të qesh!
A nuk më sheh me shpirt të vrarë
Dhe sytë e mi me rrathë të zes?!

Një stress i brendshëm (me pyetje):

A s’mund ta lëmë një udhë të humbur,
Të gjejmë të renë, të zënë përdore?
Ku jeni ju, o zemër-kumtur:
Pa ju çdo rrugë na bëhet qorre!

Kapitull më vete janë poezitë për dashurinë, poezi që sejcilit i kujton moshën e re, atë të djalërisë për ne burrat. Tek poezia “Dashurisë” ti i ngreh himn kësaj ndjenje të fuqishme njerëzore. Paçka se lutesh, (Oh dashuri!… Ki pak mëshirë), ti e di fare mire se dashuria është kokëfortë; ka aq dritë e shkëlqim të brendshëm, sa t’i verbon sytë…

Një mal pengesah në i vënë,
Me krah të engjëllit i kalon…

Lirika “Dil, moj, dil…” është e pashoqe në gjithë vëllimin “Mall i brengosur”.
Kuptohet, thirrja, siç e thamë më sipër, është e brendshme, e dëshirtë dhe shumë-shumë e çiltër. Ti i qan hallin vashës, që e ke pasur mike, por thashethemet e asj kohe kanë bërë punën e tyre: e kanë mbyllur brenda katër mureve. E kanë mbyllur,
por nuk e kanë ndarë prej teje. Siç vuan ti, vuan edhe ajo, në mos më shumë. Është kohë pranvere, por kësaj here as ti nuk ja shijao bukuritë kësaj stine… Pranverat e tjera të shkuara, kur ju rrinit bashkë, doemos, që kanë qënë më të mrekullueshme.
Mosdalja e mikes, mbyllja e saj, bën që pranverës së re t’i mungojë një pjesë e bu-
kurisë së saj natyrore. Poezia ka nota melankolike dhe e bën lexuesin të vuajë siç vuan ti…
Poezia “Nuk di ku je” është vazhdim i së pares: “Dil, moj, dil…” Ka kaluar një kohë e gjatë dhe ti i ke humbur lidhjet me miken. Shkaqet dihen… Te kjo poezi fajin ia vë kohës; në të vërtetë fajin e kanë thashethemet e fanatikëve të kohës së dashurisë suaj të pastër. Por mikja ka lënë kujtimet tek ti… Të ka dhënë puthjen e pare buzëpërvëluar, që të djeg edhe tani në buzë… Ah, dashuria e pare!… Më e ëmbël se mjalti… Poezia “Më e ëmbël se mjalti” është frymëzuar prej kujtimit të kësaj puthjeje të pare. Edhe kjo poezi, sipas meje, është në vijim të “Dil, moj, dil…”
Të tria këto poezi kanë një bosht të vetëm: Kujtimet me miken e pare, që janë të paharruara deri në buzë të varrit.
Një mrekulli tjetër është poezia “Ti më pyet” Me tre vargje ke thënë ghithçka.
Kjo që të ka pyetur, s’ka qënë mikja e pare… Mbase ka qënë Ylyverja që…

I le djemtë prapa dere…
S’ia di hiç për thashetheme…

Edhe poezia “E fshehtë dashurie”, sipas meje, të kujton “Dil, moj, dil…” te kjo poezi del e vërteta: nëna me babanë janë mposhtur nga thashethemet dhe e kanë mbyllur brenda vajzën, pra, miken tënde të pare.
I dashur xhexho!
Pak poezi për dashurinë ke në ketë libër, por ato të gozhdojnë në vend me sinqeritetin intim, me frymën popullore që i përshkon ashtu si veriu nëpër lulet e lëndinave…
Vë re se ka disa fjalëpërbërje që më sjellin ndërmend lirikun pogradacar, Lasgush Poradecin: Ja disa: Flokë-kreshp-e-gjak-përflakur; faqe-gropka-brymë-e-brumë; sy-e-zemër-prush; krim-terror-e-tmerr e ndonjë tjetër.
Këto janë fjalë të përbëra me vizë mes fjalësh përbërëse, pra, janë jo kompozita, por fjalë-metafora. Fjalë-metafora gjëllijnë vetëm në poezi, kurse në popull ato janë jashtë përdorimit në të folurën e përditëshme. Sidoqoftë, ato i japin temporitëm ndjenjës, e ngazëllejnë lexuesin dhe e bëjnë atë t’i kujtojë shpesh…
Kryemjeshtri i fjalëmetaforave është Lasgush Poradeci. Edhe përpjekja jote është e lavdërueshme, por duhet vazhduar me kujdes, siç ke bërë në poezitë për dashurinë…
Xhexho shoku!
Xhexho miku!
Jam i lumtur që je dhënë me mish e me shpirt pas poezisë lirike dhe shoqërore. Mos iu shkëput lirikës! Një i vjetër (i mençur) ka thënë:
Lepuri sa më shumë shkurre të përshkojë, më shumë lesh lë…
Të lutem merru vetëm me lirikën! Ajo të ngop ty! A ngopet njeriu me farëza lulesh dielli? Jo, ai ngopet me bukë! Buka e frymëzimit tënd është lirika dhe…PIKË!

Shumë të fala
Nexhip Ejupi

Detroit 20.6. 2007

3 komente:

JaCk tha...

Do you come from Canada?? :-S the writings isn't english... I'm from Italy and I'm just passed to say hello to you :D

Jobove - Reus tha...

very good blog, congratulations
regard from Catalonia Spain
thank you

Nexhip Bashllari tha...

Hi guys

thank you for your comments. No I am not from Canada, and the writing is mostly in Albanian.

Nexhipi