23 mars, 2008

Fabula dhe gazmore - Pjesa I

Leku dhe dollari

Një ditë leku dhe dollari
U kthyen nga pazari.

Të dy zënë dorë për dore
U futën në pijëtore.

Leku, i zoti i shtëpisë,
Merr drejtimin e dollisë:

- Një shëndet për ty dollar,
Përveç teje s’ka të parë.
Duke ngritur këtë shëndet,
Të uroj të mbetesh mbret!

Pastaj merr gotën dollari,
Pi shëndet për lek shqiptari:

- E do rregulli i dollisë
Të pijë për të zotin e shtëpisë.

Ngre gotën, e thotë këto fjalë:
- Gëzuar dhe mbetsh i gjallë!
Më shumë mos pretendoni,
Sa të jetë inflacioni!



Dhelpra dhe ujku

Dhelpra ujkun fort e mburri:
“Trim si ti s’ka tjetër!
Ec të gjuajmë të dy bashkë,
Jemi shokë të vjetër…”

Ujku shpejt u ngrit më këmbë,
Mburrjen sa dëgjoi.
Mori rrugën rëndë – rëndë,
Bashkë me dhelprën shkoi.

“Rri këtu”- i tha dhelpra -
Roje do të qëndrosh.
Dhe nga qeni i shtëpisë
Mua të më mbrosh.

Nga dericka në qymez
Dhelpra shpejt na futet.
I bëri pulat përshesh,
Kishte roje, s’ngutej.

Si u ngop…, jashtë doli,
Foli gjithë serbes:
“Radhën e ke ti, o ujk,
Futu në qymez!”

I uritur ujku sulet,
Dericka s’ nxe.
“S’të kam faj”- i tha dhelpra,-
Po iki, s’kam nge”….



Dy qetë

Shi vere ra, një ditë, në një arë
Ku lëronin tokën një pendë qe.
Për çudi…i majti u bë qull, i djathti mbeti tharë!
Pas pak pushoi shiu, koha prapë u nxeh.

U hodh kau i djathtë i tha atij të majtë:
- Shih pak, shih, si je bërë, or dreq!
Gjithë trupi qullur, këmbët llucë e baltë,
Je katandisur si dordolec.

Prit, - i tha kau i qullur, -prit dhe pak kohë
Se kush do të jetë për të qarë hallë.
Nga pjesa ime, jonxha, s’do të vonojë,
Pjesa jote…do të mbetet kërrnajë



Dy ujqër

Në një kope, në këto anë
Dy ujqër bënë hatanë.
E ç’rëndësi ka se ç’ngjyrë kanë?
Ti pyetmë: -Sa dhe çfar përlanë!



Fushata elektorale në pyll

Ngrihet dhelpra kandidate.
Para shpendve kërkon paqe:

Kam ndryshuar, ju më njihni.
Dua t’u nxjerr nga mjerimi.

Në u bëfsha deputete,
Shumë për ju…dhe pak për vete.

Jua dua shumë të mirën,
Ndaj ua le të gjithë hirrën.

Për këtë, o shpendë të nderuar,
Unë kërkoj votën tuaj…

Ngrihet korbi pak i ndrojtur:
Oh, sa shumë kemi vojtur!
Dhe e ngau më tej llafin:

- Asnjëherë, s’na kanë lënë dhelprat
Ne të hamë vetë djathin…



Koalicioni

Ujku së bashku me sorkadhen
Vendosën… koalicion
Nuk durohej më luani
Kokë e këmbë në korupsion.

Në fushatën elektorale…
Krahpërkrah me njeri-tjetrin
Mbledhin kafshët në mitingje
Më në fund marrin pushtetin.

Për të festuar fitoren
Mblidhen ujqërit nga çdo anë
Për themelet e pushtetit
Sorkadhen e bëjnë kurban.



Kali dhe gomari

Jini tallur, por nuk e meritoj,
Nuk kam ndenjur, kam punuar.
Çdo punë që bashkë kemi bërë,
Unë para teje kam kalëruar…

Jam i duruar, jam edhe qefli,
Pela të shumta janë afruar.
Jam xhentil, di të bëj dhe dashuri,
Për këtë gjithnjë jam dalluar.

Zonja pelë afër më ka mbajtur,
Me të kam shkuar…në një vënd.
Ç’kam bërë me të, nuk ta them dot,
Ti je i zgjuar,merre vet me mënd!...

- Për sa më fole,unë e mora vesh,
Ato që the si mburrje i marr,
Por sado merita që ti të kesh,
Ashtu siç ke qënë, mbetesh gomar!...



Ahu mburravec

Një ditë, në mes të një pylli,
Një ah i drejtë dhe i gjatë,
Po vinte në lojë një tjetër,
Shkurtabiq,gjysmë të thatë.

- Ha-ha-ha - qeshte i gjati,-
- shtrëmbaluq, ore i gjorë,
Të ka lënë krejt takati
Je sakat, pa këmbë e dorë.

Më shih mua sa u rrita,
Po më ze koka në qiell.
Nuk e njoh se ç’është frika,
Tani matem edhe me diell…

Por një ditë ndodhi çudia,
Një druvar u gjend atje.
Donte lëndë për shtëpi
Ahun tonë shtriu përdhe.

- Pa më thuaj, or mik, çpate?-
I tha ahu shtrëmbaluq.-
Dje me diellin ti u mate,
Tani pse të shoh gërmuq?...



Një mi në qeveri

I zoti për marifete qe një mi
Gur pa lëvizur nuk la.
Qe betuar: “Për perëndi,
O punoj në qeveri, o s’ka”!

Dhe qëllimit ia arriti vërtet.
Një mëngjes u gdhi në qeveri,
Por ç’e do, punën s’e kish marifet.
Gjithë ditën bënte kakërdhi.

Për vete, gjith ditën e ditës,
Mbushte sirtarin me fara.
Ata, që mëngjesit e ngritën
Në mbrëmje e flakën nga shkalla.

Vjersha e ka një moral:
“Punës gjeji njerinë”!
Jo ç’do punë bëhet kollaj,
S’bëhet gomarja balerinë.

Nuk ka komente: