05 mars, 2008

S'kam kohë të vdes - Intermexo

Cikël poezish nga Kanadaja




Tungjatjeta Toronto!

Porsi zogu nëpër qiell
Fluturimin e ndal larg…
Iki unë, më ndjek një diell,
S’më arrin e bëhet flakë…

Qesha unë me xhelozinë,
Që s’po mundet të më kapë.
Dielli qesh për lumturinë,
Që më ndrin të shkel një prag.

Të shkel atje,…ku mendja, kurrë…
S’më kishte shkuar se do shkelë
Hapësirën me qiell të murrmë,
Borë e shi me pakëz diell.

Në një prag më pranë polit
Ku fëmijve u shkeli këmba,
Nëpër gjurmët e Kolombit
Ku janë thurur shumë ëndrra.

Fluturimin asaj rruge
Shtrirë poshtë Atllantiku,
Si lëvozhgë vezë pule
U shkërmoq Titaniku.

E ndjej pranë lumturinë,
Atë çast të ëndërruar,
Të nxjerr mall me nipërinë
Buqetë lule nëpër duar.

Me vështrim prej kureshtari,
Një nga një hapa të lehta,
Përshëndetje nga shqiptari:
“Hej, Toronto, Tungjatjeta”!





Sa më dhimbsesh vëndi im!

Nga gjumi i parë në Kanada
Zgjohem unë ëndërrmadhi,
Nisem hapësirave të mëdha,
Pa më shkrirë mirë malli.

Nëpër rrugët e Torontos
Eci krejt i mrekulluar,
Bëj çudi dhe pyes veten:-
Jam në ëndërr a i zgjuar?

Herë e parë që marr një rrugë
Për të dalë jashtë vendit tim
Ku kam shkelur baltë dhe gurë.
Këtu gjej ngado shkëlqim.

Dhe më qahet dhe më qeshet
(look-u ynë aq i tepruar),
Xhepat bosh, shkëlqim në veshjet
Me kërc-mërc e të mjeruar.

Eh, ç’më dhimbsesh vendi im,
Sa i pasur, aq i mjerë,
përse vallë ky ndryshim
Nga komshinjtë derë më derë?

Ç’më vjen të qesh edhe të qaj,
Tek të kujtoj ty bukurinë,
Të një vajze të pafaj
Humbur dhunshëm virgjërinë.

A do vijë për ty një ditë
Që dhe veten ta ndjesh zonjë?
Si t’na duan perënditë,
Kur nuk duam veten tonë?!





Otavë

Vetëm, sot, bëra njëmijë kilometra
Për ty, mijëra të tjera do të kisha bërë,
Sikur e shkurtër të më ishte jeta
Çdo gjë tjetër mënjanë do ta kisha lënë.

Otavë, lundrova nëpër lumin tënd të qetë
Dhe pashë brigjet me gjelbërim harlisur.
Eh, lumenjtë tanë që rrjedhin gjaknxehtë
Brigjet dhëmbë-dhëmbë, me xhoke të grisur!

Otavë, u futa në zemrën tënde dhe s’pashë
Njerëz sytrishtë e me çehre të prishur.
Askush s’binte në sy e në sy s’u rashë
Me kostumin e ngrirë dhe jakën kollarisur.

Pashë kështjella qindravjeçare,
Pashë kur hynin dhe në parlament.
Çudi, si nuk dallova e s’njoha fare,
Kush qe vizitor dhe kush deputet!

Me policin buzëqeshur, në krah të tij,
Bëra fotografi, brenda dhe te dera.
Pa afrohu te Parlamenti i vendit tim!
Të shemb polici me grushta e shkelma.

Biblioteka-kështjellë e stilit anglez
Përbri parlamentit, njësh me qiellin
Eh, tonat!…Qymezë pa dritë, pa diell,
Ku minjtë mbi libra çiftohen dhe pjellin.

Otavë, ma hape derën, më prite si mik
E për mijëra të tjerë t’u pa bujaria,
Por, rri e vras mendjen e mbetem skeptik
Nëse do të bëhet, një ditë, Shqipëria.





Niagarë

Kisha dëgjuar për ty Niagarë,
Ndaj net të tëra fjeta me ty
Dhe vetja m’u bë si ujëvarë
Ujëvara si nimfë me sytë blu.

Një ditë endrrën krejt e shkunda,
Si delfin u krodh mbi ty ujëvarë
Tek ti pranë m’u mund dhe mundi
Ma munde gjumin ti, Niagarë.

Mbi dyqind metra hidhje stërkala,
Dhe mbi stërkala ngjyra ylberi,.
Eh, s’kuptova si iku nata
Dhe s’ndjeva fare kur lindi dielli!

Kur mora rrugën shpejt të kthimit,
I dërgoj vdekjes urdhër të prerë,
Të bëjë gjumin e harrimit,
Të ndjehem fatlum edhe një herë.




Ngushëllim i shpirtit ndër dhëmbë

Më vajti… për raki, një ekspres,
Të shoqëruar me një cigare,
Po në këtë vend ec e ta gjesh
Këtë menu vrastare!

Prapë mendja te vëndi im
Pijetore në çdo pëllëmbë…
A thua se gjejmë ngushëllim
Të shpirtit ndër dhëmbë?





Në High Park

Një zeshkane lëkurëndritur
Në High Park më rri karshi,
Me vështrimin pa ma shqitur
Ç’ka me mua, s’po e di!

Ç’më vështron me ata sy,
Mos tek unë, vajti mendja,
Të kalojmë një natë të dy,
Në një dhomë të mbyllur brenda?

Mos të dukem burrë i hijshëm?
A të ngjaj si një kreshnik?
Mos të dukem gjah i shijshëm
Rritur në një vend epik?

Pse tek unë, jo te një tjetër
Hedh shikimin aq epshndjellës?
Mos ke mbetur fare vetëm,
Apo dukem zjarrpërcjellës?

I tillë jam, është e vërtetë
Prush e shpuzë dhe gur stralli.
Ti e sheh, jam me një tjetër,
Një lanetkë prej Opari.

Ej, largomu, moj, të lutem
Mos më shih me sytë zjarr!
Mos më ndill, se po të ngjitem,
Nuk të shqitem aq kollaj!


Ah, moj zemër!...

U nisa me natë,
Me natë u ktheva.
U gjeta të qeshur,
U lashë me lot.
Më falni, të dashur,
me shpirtin si drita,
Por më shumë nuk mundja
s'qëndroja unë dot.

U gjeta me diell,
Me diell u lashë,
Diell, vetëm diell,
ka zemra juaj,
Mbi ju mos rënte
asnjë pikë terr,
Se ndjehem keq,
më bëni të vuaj!

U nisa me mall,
Por malli më mbeti.
Ngado më ndjek pas
si një manar.Nga syri-diell
a thahet deti?! Ah, moj zemër,
më dysh e ndarë!

S'kam kohë të vdes - Kreu III

Kreu III

BLERIM LOTËSH






Nënës

Ti që jetës i dhe jetë,
Jetën tënde s’e jetove.
Dritë m’u bëre mua vetë,
Po me dritë s’u ndriçove.

Më dhe tinguj drithërues,
Horizont dhe hapësirë.
Duke pritur të më gushje,
S’të thashë dot as lamtumirë!





Mall për vëllanë

T’i ndjej hapat mot pas moti,
I kujtoj dhe më mbyt vaji.
Vaj mallimi…Pika loti…
Lot të dhembshur prej vëllai…

T’i shoh gjurmët lënë së pari,
Psherëtij e s’i shkel dot.
Vaj medet!... I mbulon bari…
Më bleron ai ndër lotë!...




Motrës Gjyze
(Tankë)

Të mbaj mend, motra ime,
Kockë e lëkurë…
Ato kocka mbajtën
Një valle me fëmijë,
Si pyll i lulëzuar me drurë.






Qesh e qesh, pa fund
( Kushtuar E.Y, B.B )

Më në fund iku dhe dimri,
U shkrinë akujt më në fund,
Dhëndërush vjen veshur prilli
Dhe unë qesh e qesh pa fund.

Qesh e qesh,…s’ka si ndodh ndryshe,
Tek shoh pragun e shtëpisë,
Krahëhapur një dallëndyshe,
Ngre folenë e dashurisë.

Qesh foleja, qesh dhe zogu,
I vetmuar nëpër dimra,
Tek i buzëqesh prologu,
Të gëlojë me cicërima.





Kushtuar: Xh.B

Një bisk prej gjelbërimit të Gorës
E shoh të rritur erëmirë,
Me zemër në pëllëmbë të dorës,
Me buzëqeshje e fjalën e dlirë.

Thonë : “Dardha bie nën dardhë”
E ku ajo tjetër mund të bjerë?!...
Ndaj dhe ti më ke nxjerrë mallë
E atit tënd të mirë, të ndjerë.



Pa titull

Erdha, të pashë, të qava, moj Vlorë,
Sytë e tu të njomur dhe shami sterrosur,
Por s’e mora vesh, ç’të qe ajo dorë…
Që të kish qëlluar dhe të kish gjakosur?!

Shtator 1997



Mikut tim të vjetër…

Tungjatjeta, tungjatjeta!
Përshëndeteshim dikur,
Iku vera, erdhi vjeshta,
Përshëndetja u bë mur.

Tungjatjeta, tungjatjeta!
Njëri-tjetrin kur e njohëm,
Lisi mbirë lëshoi dega,
Zogjtë degave gëlojnë.

Tungjatjeta, tungjatjeta!
Njëri-tjetrit kur i thamë,
Shkoi pranvera, vera, vjeshta,
Dimri gjen të fortë kalanë.



Ëndrra e prere në mes
( Mikut tim I. Halili )

E nisëm së bashku udhën e blertë
Këtu e tridhjetë e pesë vjet më parë,
Me syrin xixë e shpirtin e drejtë,
Me zemër të ngrohtë, shpresën ujëvarë…

E nisëm, or mik, e thurëm së bashku
Ëndrra të rinisë me ngjyra ylberi.
S’na u tha, njëhere, djersa te balli,
Te balli ynë shkrihej dhe dielli.

Rruga e nisur për gjysmë na mbeti,
S’ditëm të bëjmë pazare dhe dredha.
Kush brohoriti më shumë për “Mbretin”
Kështjellash i gjen, haremesh mes pelash…

Ata që kollaron s’e hoqën nga qafa,
Sqetullat, balli s’iu qullën njëherë,
Si aherë edhe sot, për ata u dashka,
Të ngjyejnë mjaltë. Ne…vetëm zeher.

Eh, or mik, s’të kam më pranë,
Ike papritur, u shua ëndërrzeza
E më le vetëm, mua, mjeranë,
Te hap e të mbledh lecka mbi tezga.




Nderim për rrudhat

Mos u tallni me rrudhat e tija
Si brazda e plugut në arë,
Brenda tyre gjendet galeria
Me mineralin më të rrallë.

Shkelni në ato brazda dhe gërmoni,
Siç gërmon bujku i mirë me bel,
Pastaj thoni për të ç’të doni,
Thoni që është dhe thes pa miell.

Flisni, flisni, sa e si të doni,
Se gojët e liga s’kanë fre.
Veç rrudhat e tija… Mos harroni!
Janë diamante e dot s’i fsheh.



Homazh
(Një druvari)

Dikur… njoha një njeri,
Mbi sup hedhur një sharrë,
Bredhur pyjeve, veri,
Zemërbutë, dorën darë.

Dikur… njoha një njeri,
Kurrë… zbrapsur në tallaz,
Pyllin kishte si shtëpi,
Shtratin kish mbi një dërrasë.

Një njeri, dikur,… kam njohur
Mbrojtur shiut- pelerinë,
Zjarr dimrit për t’u ngrohur,
Gunë dhije përmbi shpinë.

Dikur njoha një njeri,
Shtatin lis e gurelmaz,
Vargje që i thur tani
Janë respekt edhe homazh!




Kur vdes një ditë

Edhe kjo ditë u bë plak me mjekër,
Pas saj vjen e reja me yllin polar,
Për çdo hap që hedh drejt cepit tjetër,
Fundi bën një hap edhe më përpara.

Bën një hap përpara dhe pa u ndjerë
Ditë edhe për ditë më vdes nga një çikë,
Ndjehem ngazëllyer, dita kur ka lerë,
Dhe s’kuptoj që vdes, kur më vdes një ditë.




Kur mendoj…

Diellin s’do ta shoh një ditë,
Ajo vjen porsi hijena,
Të ndjek pas, të zë dhe pritë,
Fshehur brenda dhe në bedena.

E mendoj kur të më zërë nata,
Sterra natë e pakthim,
S’do të shoh kur çel lofata,
S’do të qeshë më syri im.

E mendoj kur s’do të gdhijë,
Edhe dielli s’do lindë prapë,
S’do ta prek më dashurinë,
Që s’m’u nda në asnjë hap.





Psheretimat e një bote…

I kredhur në vargjet e poetëve
E kujt, ata s’i kanë kënduar!
Fllad pranvere, dallgë detesh,
Sa shumë më paskan munguar!

Puhiza më mori me vete,
Më ledhatoi si nëna fëmijën,
Në fëshfërimën e gjetheve
Përktheva pshehrëtimën.

Ndjeva psherëtimën e një bote
Të jetëve mbërthyer kular
Dhe çurk më rodhën lotët
Për jetët mohuar, pa faj.




Ai vend i largët…

Ai vend i largët me dëborë e ngricë,
Që dikur e njihja vetëm si një emër,
Më vodhi dy perla, më vodhi florinjtë,
Porse nuk ma vodhi, e s’ma vjedh dot zemrën.

Ku jam…,gjaku rri i ngrohtë përhera,
Ndaj nuk më bëhet kurrë që ta braktis,
Veçse si një zog, më përpëlitet zemra,
Tek i kujtoj perlat, tek kujtoj florinjtë.




Ja, këtu…të më kërkoni!

Mos më kërkoni në fund të gotës,
Përposht lëngut ballkazani,
As ndër udhët rrotull botës!
Jam këtu si mik rajcari.

Lodhur vitesh nëpër shqeme,
I përplasur fort nga vala…
Vij këtu në tokë vapeme
Ku merr krahë kënga dhe vallja.

Thellë vitesh… Domosdova
Oshëtinte nga trumpeta,
Vringëllimë shpata te dora
Si shalqinj koka të prera.

Mes gëzimit për fitore
Mbi halldupë e turkoshakë
Sërish rite martesore,
Këngë e valle në çdo prag.

Jam këtu, të ndiej pak flladin,
Që zbret poshtë nga Qafë-Thana
Çdo pragmars e flak qylafin
Bulëzon e çel bajamja.

Që prej Rajce n’ Gur Pishkash
Jehon festa derë më derë,
Rrjedh i qetë Shkumbini plak
Ngre në valle Myzeqenë.

Ja, këtu të më kërkoni
Do më gjeni medituar
Të më rrjedhë si ujë kroi
Vargu im i shkumëzuar.

Rrajcë 2006

S'kam kohë të vdes - Kreu II

Kreu II LISAT ULIN KRYET






Ec, e gjej një tjetër botë!...

Ç’po këndirrem nga një kërrn,
Kërrn bezdisur i mërzisë,
Një kërrc-mërrc shpirtin ta shemb,
Shemb dhe trarin e shtëpisë.

Dhe me kokën ulur poshtë,
Vështroj poshtë i çmerritur,
Ku më del para një botë,
Një botë fare e fëlliqur.

Ndaj vështrimin tim e tres,
E tres thellë në fund të gotës
Dhe kërkoj aty të gjej,
Ëmbëlsinë e të gjithë botës.

Fundi i gotës më përqesh,
Më përqesh e çuk në zemër,
Mirëpo, ec edhe të gjesh,
Botë tjetër, tjetër emër!...

Ku ta gjesh një tjetër botë,
Botë tjetër, tjetër emër,
Jet’ pa dhimbje, sy pa lot,
Sy pa lot, pa cërr në zemër!





Mos m’a trembni vjershën

Mos ma trembni vjershën,
Vargun mos ma ngani,
Fjala të shpërthejë
Llavëe nxehtë vullkani!

Lermani të ziejë
Shpirtin duf të mbushur,
Lermani të rrjedhë
Llavën gjak të prushur!

M’i lini të lira,
Të gjembojnë hijenat!
Mbarsur me intriga
Brenda në bedena.

Fjalën mos ma grisni,
Ma lini të lirë!
Në kuvli i mbyllur
Zogu s’mund të rrijë.

Poshtë monopatit
Llava le të rrjedhë,
Me prushin e zjarrit
Djallin le ta djegë!

Trupin, le t’ma digjni,
Mos ma digjni fjalën!
Trembur dhe nga hiri,
Do zbythen rrufjanët.

Mos ma trembni fjalën,
Në burg nuk i rrihet!
Sa m’i ndritshëm dielli
Më shumë digjen hijet.




Qesh me ngërdheshjen

Në lokal i ulur vetëm
Me një kafe allaturka,
Përkarshi tryeza tjetër
Plot me meze, pije, fruta.

Ndjej shikimin e ngërdheshur,
Edhe qesh e qesh me zemër,
Nuk po ndjej aspak të prekur
Nga “ngërdheshja”, që s’lë emër.



Dëshpërim

M’ ka mbërthyer një dëshpërim…
Kush ma mbolli? E vraftë Zoti!
Kështu…s’është ndjerë shpirti im
Asnjëherë përpara moti.

Kush ma vrau mua gëzimin
Dhe urrejtjen kush ma ngjalli,
Të më bëjë të humb besimin,
T’i shoh njerëzit si farë djalli?

Kush më bëri të pendohem
Për atë besë-besë të dhënë?
Kush më bëri të verbohem,
Mos s’shoh ferrën nëpër këmbë?!

Kush me sjelljen dhelpërore,
Ma bëri mendjen yjem
Dhe me thikën aq mizore
Të më shpojë tej për tej?

Zot, më fal, për ashpërsinë!
Për ç’ka shpirti më ofshon!
Falmë, siç fal gjithë njerëzinë,
Kur bëjnë keq, kur mëkatojnë!



Ku ta gjej!...

Ku ta gjej, o Zot, fuqinë
Dhe durimin ku ta gjej,
Të çaj dallgët gulç e shkumë,
Të çoj varkën drejt në breg?

Ku ta gjej unë një shkëndijë,
Turrë drush ta bëj të prushtë?
Në lot akulli të shkrijë,
Të ndriçojë shtegun e ngushtë.

Ku t’i gjej të tjera fjalë,
Fjala, sot, asnjë nuk prek,
Bërë zemra akullnajë,
Drit` e syrit lot m’u tret!


Pse, o Zot, kaq zemërngrirë,
Zemërbrishtë pse më lë,
Si ta çaj udhën e dhirtë
Pyllit ujqërve kope?



Vital

I gjakosur,
i gjymtuar,
i ndarë më katërsh,

i plaçkitur,
i djegur,
i mbetur në mjerim,

i uritur,
i etur,
dorën s’ke zgjatur,

në këmbë,
vital,
ti, vëndi im.




Stresi këmbëkryq

Bie të flesh, s’të zë gjumi,
Sa të zë, të del dhe prapë,
Buçet mendja porsi lumi,
Dallgëfryrë trap më trap.

Ha mëngjesin, mendon drekën,
Po për darkë ç`do të hamë?
S’ka korent, bukën të pjekësh,
S’blen dot gjalpë për trahananë.

Dimri do të vishesh trashë,
T’ shkosh te miku, duhet qibër.
Jashtë shtëpisë s’mund të hashë,
Ke dëshirë, s`blen një libër.

Në spital…Do blesh ilaçet,
Nuk i blen, rri pa shëruar.
Po t`u skuqën pakëz faqet,
T`i kafshon qeni i tërbuar.

Merr më pak se sa merr bota,
Dyfish çmimet më të larta.
Fjalurta s`u dëgjoka,
Gjuhësharja s`u përmbajtka.

Ngado sheh lakuriqësi,
Vetëm vdekje dëgjon veshi.
Asnjë çast s`gjen qetësi,
Këmbëkryq rri ulur stresi.



Strofull hienash

Fëshfërimat poshtë një shkurraje
Më ngjallin ndjenjë ankthi dhe frikë,
Strofull për hiena e për djaj,
Të ngulin pas shpine majë thike.

Sot, nën shkëlqimin e modernes kohë,
Në holle motelesh ngritur me ligësi,
Fshihen hienat prapa buzëqeshjes së hollë
Apo zhargoni që nuk e kupton asnjeri…

Atje ku mirësia si lumë derdhet
Dhe mbi atë ligësia zhgërryhet,
Skuqet hëna dhe dielli zverdhet,
Nga turpi dhe lisat ulin kryet…



Vetëm kur shkojmë në varreza…


Kur përcjellim ndonjë në botën tjetër,
Ndjejmë keqardhje dhe trishtim,
Pastaj ecim në rrjedhën e jetës
Dhe harrojmë se ajo ka një mbarim.

Harrojmë se na prêt diku një vend,
I mbushur me selvija dhe mermer,
Që nuk mban hatër për askënd,
I fut brenda dhe asnjë s`nxjerr…

Kur përcjellim ndonjë në varreza,
I hedhim një dorë dhe` e pastaj
Pyesim veten: -Pse kaq e shkurtër jeta,
Sa per një vizitë, sa për një çaj?!...
Zbrisni, or njerëz, nga mushka gërdallë

Prej shekujsh ka ikur shumë kohë,
Por ne gjithnjë, të njëjtin avaz,
Pështyjmë me buzë, qëllojmë me dorë,
Bota na sheh, na tall dhe gajas…

Pështyjmë fytyrën e njëri-tjetrit
Dhe për njëri-tjetrin e bëjmë gropën.
Ai klan që merr në dorë pushtetin,
Mendon vetëm të shtrydhë mëmë lopën.

Ëndërrojmë të hipim në grataçielë,
Kur i kemi hipur mushkës gërdallë.
Po mushka si mushkë nuk mund të pjellë,
Në mitrën e saj nuk mbin dot farë…



Vdekja kërkon një tjetër

Ikën pleqtë e hyrjes që kam përballë,
I kujtoj të gjithë me shumë mall.

Tani vdekja kërkon një tjetër,
Sigurisht mua, jam më i vjetër.

Kur hapa sytë, ishte bërë mëngjes,
I thashë vdekjes: -S’kam kohë të vdes!




Punët shkuan rrapëllimë

Kudo kugjenden shqipëtarët,
Në male, fusha e lugina,
S’i kanë bërë hesap kokës,
Se kanë qenë e janë trima.

Po ç’ka po bëjnë më të rinjtë,
Ç’kanë bërë më të vjetrit,
Punët shkuan rrapëllimë,
Se po hanë njëri-tjetrin…




Si të dal, nuk e di

Ikin ditët, ikin vitet,
Ndjej në gryk’ një shtup të tharë.
Shpirti vjen e më zvordhitet,
S’kam as lot më për të qarë…

Dhe kur dal unë ndjehem dru,
Ndjej përbrenda një të fikur,
Kur më thonë:-prapë këtu?!
Ne e dimë se ke ikur!...

Kjo bisedë herë-herë,
Kush ka ikur, kush do ikë
Meqë goja s’na ka frerë,
Bëjmë dhe pakëz politikë…

Të dal dua nga kjo gjendje,
Si të dalkam, nuk e di.
Vij nga rruga e hyj brenda,
Jam si zogu në kuvli…

S’po di fare si të dal
Nga kjo gjendje kot më kot.
Jam oxhak, por nuk kam zjarr,
Ta përball laviren botë…




Çast meditimi

Ja, ku jam, tani i ulur,
I përkulur mbi një letër.
I menduar e kokulur,
si e shkova vallë jetën?

Si jam ndjerë te kjo botë,
Nga u nisa, ç’rrugë mora.
Nga ç’kam bërë, çfarë ka mbetur,
Çfarë kam mbjellë dhe çfarë korra.

Me miq, shokë si jam sjellë?
Qejfi kujt i paska mbetur?
Kush ka shpifur, kush ka vjellë
Kur jam gjendur sedërprekur?

Ç’më ka bërë të vuaj shumë
Dhe të ndjehem mjaft i fyer?
Kush ka pritur më nga unë
Dhe ka mbetur i zhgënjyer?

Kush më tha: “Nexhip, të lumtë!”
Për diçka që kam arritur?
Kush më pa me buzë e hundë,
Kur më pa nga kali zbritur?

Kush më moli porsi lopë,
Duke shtrydhur mirë gjinjtë
Dhe kur s’gjeti shtrat të ngrohtë,
Shtrëmbëroi fort turinjtë?...

Këto vite për një çast
I kalova nëpër mend.
Jeta qenka një dhuratë,
Aq e vyer, aq e shtrenjtë…

Jeta qenka gaz e vrer
Lot me vaj e qesh me lotë
Zë bilbili mbi rrëkere,
Zë mëllenje nëpër shqotë…




Kthesë e dëshiruar

Nga koha në kohë kanë dalë demonë,
Nga koha në kohë kanë dalë dështakë
Një botë e kamur plot kameleonë,
Një botë plot shpirtzbatharakë.

Kohët kanë lindur dhe lindin të marrë.
Pushtetin e tyre të veshur me krim,
Prej kohësh,…kjo botë, plot me kusarë
Dhe njerëz të ndershëm të zhytur n’ mjerim.

Koha ka kërkuar dhe kërkon ushtarë,
Të bindur në rreshta që hidhen në zjarr,
Koha ka nxjerrë dhe nxjerr gjeneralë,
Veprat e tyre: zjarr e varr…

Kohërat kanë nxjerrë përherë tiranë
Duar gjakosur në pushtet janë ngjitur,
Koha ka nxjerrë dhe nxjerr viganë
Në këngë dhe legjenda të ngritur.

Në kohëra divat nuk kanë munguar,
Të tillë më shumë lipset të ketë,
Përkrah vegjëlisë me radhët shtrënguar
T’i sjellin botës kthesën e vërtetë.

Një botë pa mllefe, pa halle, mjerim,
Pa horra, rrufjanë, lavire e zuzarë,
Pa trafik, mashtrues, dhunë e krim,
Pa batakçinj, banditë dhe bastardë.

Njerëzit e urtë në krye të dalin,
Që dinë të drejtojnë me mendje të fortë,
Të mençmit, të rreptit. që dinë të falin,
Që zbutin dhimbjen me fjalën e ngrohtë.





Do ta bëjmë Shqipërinë?!


Fundnëntori vjen i nxehtë,
Me ftesa nisur anekënd,
Disa më datën njëzetetetë,
Të tjerat më njëzetenëntë.

Të dyja ftesat marr në dorë.
Po kujt t’ia prish e kujt t’ia ndreq?!
Njëra me blu, tjetra me rozë,
U gjenda keq e mosmëkeq.

U gjenda keq se nga t’ia mbaja!…
E bëra shpejt veshin e shurdhit.
U ndamë keq nga sherrbelaja:
“Kur iku gjermani i fundit”.

U ndamë keq, u bëmë çorap,
Me njëri-tjetrin mbajmë mërinë
Po ju pyes me merak:
-Do ta bëjmë dot Shqipërinë?




Durimi

Vras e pres veç terr të zi,
I çoj djajtë në skëterrë.
Vras veç një, ata njëmijë,
Të njëmijtë me nga dy krerë!

Pa më turren e vërsulen,
Unë sërish e nis përleshjen.
Sa jam gjallë s’do t’u përulem
Duke vrarë edhe heshtjen!...

S’ka të sosur zemërimi,
Thumba grenze dhe ngërdheshje.
Fort i hidhur ky, durimi,
Duke pritur buzëqeshjen!...




Plaga e qershisë

Një trutharë goditi qershinë me sëpatë
Dhe qau ajo me lotë dylli.
Sot nuk është gjallë ai i ngratë
Ka ikur në atë botë...
Qershia plagën e mbylli....
I buzëqeshin kokrrat
me lëng mbushur plot
Përmbi Llercë, te bryli.



Mos ndokënd…

Nga mëngjesi buzëmbrëmje
Herë qeshur, herë qarë,
Shpresa plot përherë u gjenda,
Shpirt e zemër shpesh i vrarë.

Herë dallgë, herë tulatur,
Herë prush e herë i shuar,
Herë çartur, herë përmbajtur.
Mos ndokënd e kam lënduar?!...




Ëndërr dhe zhgënjim
(Monologu i një emigranti)

Bashkë me ëndrrën time,
Ika nëpër botë,
Por kudo kam gjetur
Të nxehtë, të ftohtë.

Kërkova parajsën,
Më qëndronte larg,
Me bukë në trastë
Vetëm për një vakt.

Dhe me kokën lart
Zotit i jam lutur:
“Më ndihmoni pak,
Të ndihem i lumtur”

Kam kërkuar punë
Edhe, kur ma dhanë,
Në fund më vunë drunë,
Paret m’i përlanë.

Të më bënin nder,
Fort ma kishte ënda,
Por s’më hapnin derë,
Nuk më futnin brënda.

Kur më kanë pritur,
I kanë mbledhur buzët.
Jam ngritur, kam ikur,
Kam marrë prapë rrugët.

Në punët e botës
U lodha, u ndeva.
Gjithnjë i përlotur,
Se përbuzje ndjeva.

Fjeta në bodrume,
Në metro dhe parqe.
Kam kaluar natën
Nën urat me harqe.

Pasurinë, të vija
S’qe aspak e mundur.
Humba kot rininë,
Moshën më të bukur.

Vate ëndrra ime,
Vate unë i mjeri,
Se me para borxh
Mbushur plot defteri.

Bëra gati çantën
Dhe e mora hosh.
Ishte aq e rëndë,
Paçka se qe bosh.

E kërkova shpresën,
Gjeta veç zhgënjim,
Prandaj mora kthesën
Për në vendin tim.

Ku gjen ngrohtësinë,
Aty ku ka besë,
Ku e kam shtëpinë…
Aty le të vdes.



Një monstër

Kur kalon rrugës qytetit,
Tek më ecën kollarisur,
Nuk mjafton as uji i detit,
Të shplajë shpirtin tënd të pisur.

Të kam parë falur në gjunjë,
Ndez qiri e bën kurban,
Veçse netve nuk ke gjumë,
Rrjeta tjerr si merimangë.

Djepja qan kohën e humbur,
Derëtrokitja të pshurron,
Zvarrë kanalesh porsi brumbull
S’di nga vjen e s’di ku shkon.

Bie në gjunjë dhe nëpër dhëmbë,
Lutesh për allah dhe zotër,
Veçse kurrë ti s’bëhesh tjetër…
Siç ke qënë, do mbetesh monstër.



Gënjej veten

Ja, përherë i mbush dy gota…
Dhe në qofsha në vetmi,
Njëra-tjetrës i bëj: çoka!
Duke lutur, mikun: “Pi”!

Pi, or mik, mos më ler’ vetëm
Trung, pa gojë e të shurdhuar
Dhe vazhdoj të gënjej veten:
“Paskam një… për t’më ngushlluar”!




Për një provë…

Një ditë vdekjen e thirra vetë,
S’më kish për zemër, qëndronte larg.
Vdekja, si vdekje… Këtë deshte!...
Shpejt pranë meje u gjend sakaq.

Desha të dija një të vërtetë…
Ndaj me bindje, prapa i rashë.
Qeshën ata…që borxh më mbetën,
Qanë ata…që zemrën u dhashë.




Mos kështu…, o mëkatarë!

Pa u njohur aspak, fare
Bëjnë kafshët dashuri.
Mos kështu…, O mëkatarë!
Bie erë kafshëri.

Të lind fëmijë ngazëllehesh,
Jeta merr kuptim tjetër…
Po u kthyem në kafshëri,
S’do njihen fëmijë e etër.








Kujtohu njëherë!…

Kujtohu njëherë,
vetëm një herë,
Kur pije prej meje cigare,
Kafenë çdo ditë
dhe ndonjë gotë…
Nën dorë edhe ndonjë pare.

Sot je bërë dikush, tjetër…
Me xhepat plot, sigurisht,
E kur takohesh, pa qejf,
Me mikun tënd të vjetër,
Nxjerr nga xhepi, vetëm për vete,
Cigaren me gisht.

Flet e flet vetëm për biznes,
Si ua hedh, atyre,…në doganë
E paret me fajde kur mbledh.
Prej meje prêt
Të të zgjas një cigare
…dhe kafen ekspres.



Prit të qetësohesh

Kur ma ngul tinës
Thikën prapa shpine,
Duhet të bësh namin,
I them vetes time.

Ç’të të dalë përpara
Nga kjo farë monstre,
Që t’i humbasë fara,
Mortje mbill, veç mortje!

Me këtë mendim
E kaloja ditën,
Pastaj gdhija natën
Duke pritur dritën…

Diçka m’u fanit,
Më tha:-Me ngadalë,
Prit dhe pak, prit,
Mos u bëj i marrë.

Mos merr një vendim,
Kur je zemëruar,
Prit të qetësohesh,
Merre shtruar-shtruar.

Kështu s’e ke mirë,
Të ka ikur mendja!
Me durim e pritje
Frutat i ke t’ ëmbla



Jeta vazhdon

Eh, sa kohë ka kaluar për njerëzimin,
Sa breza kanë ikur radhë-radhë!
Ata prapa kanë lënë vazhdimin
E racës njerëzore, të gjallë.

Eh, sa njerëz të dashur kanë ikur,
Gjyshër, stërgjyshër, nëna, baballarë!
Sa yje, sa shpirtra, sa sy janë fikur!
Pas tyre tani presim ne në radhë…

Presim të shkojmë dhe ne pas tyre,
Se vdekja asnjë nga ne s’ harron.
Kujtesa e saj, kaq e natyrshme:
Kush lind, do vdesë…Jeta vazhdon…